Dhurata Hoxha u Ankohet Gjermanëve për ‘Trajtim të Pabarabartë’ të Kosovës

E pakënaqur me trajtimin e Kosovës në një konferencë në Tiranë, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha i ka shkruar një letër drejtorit të Agjensisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Hoxha është ankuar se në konferencën rajonale “Fuqizimi i grave nëpërmjet qasjes në toka”, të organizuar nga GIZ-i, Kosova nuk u radhit si shtet të pavarur në mesin e shteteve tjera pjesëmarrëse.

NDËRLIDHUR

Ministrja e Drejtësisë Hoxha e konsideron të papranueshëm mospërfaqësimin e Kosovës si shtet i pavarur në këtë konferencë që u mbajt më 9 mars 2017.

KALLXO.com ka siguruar letrën që ministrja Hoxha i ka dërguar Drejtorit të GIZ-it për Kosovën, James Macbeth Forbes ku dënon ashpër trajtimin që i është bërë delegacionit të Kosovës në këtë konferencë.

Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, Dhurata Hoxha ajo ka radhitur diskriminimet që sipas saj i janë bërë delegacionit të Kosovës në organizimin e kësaj konference.

“Së pari, delegacioni i Republikës së Kosovës u ftua nga GIZ për të arritur në Tiranë më 9 mars  2017, pak para fillimit të konferencës. Kemi kuptuar që të gjitha delegacionet e shteteve tjera ishin të ftuara të arrinin një ditë më parë. Ky është një trajtim që shkel parimin e trajtimit të barabartë të delegacioneve zyrtare shtetërore dhe diskriminim ndaj delegacionit të Republikës së Kosovës“, thuhet në letrën e Hoxhës.

Sipas saj, një dokument i kësaj konference nuk e kishte listuar Kosovën në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me arsyetimin se Kosova nuk është e njohur nga të gjitha shtetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Duhet të jeni në dijeni se sipas të Drejtës Ndërkombëtare, ekzistenca e një shteti të pavarur nuk varet nga anëtarësimi në OKB as nuk është listuar në marrëveshjet e M49”, thuhet në letër.

Gjithashtu, ajo ka vënë në pah se Kosova është thirrur në një emërtim jo zyrtar në vend se të jetë ‘Republika e Kosovës’.

“Përdorimi i emërtimit ‘Kosovë’ në konferencë shkeli emërtimin zyrtar ‘Republika e Kosovës’ dhe nuk ishte në linjë me marrëveshjet e arritura në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë më 24 shkurt 2012.Shpresoj që kjo do të mbetet një incident i izoluar dhe një trajtim i tillë i papranueshëm  nuk do të ndodhë sërish sepse është e sigurt  se nuk promovon bashkëpunime të mëtutjeshme”, ka paralajmëruar Hoxha.

KALLXO.com ka informacione jo zyrtare se disa prej këshilltarëve të Ministres Hoxha ishin larguar nga kjo konferencë në shenjë proteste.

Një kopje të kësaj letre e ka pranuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në anën tjetër, Drejtori për Kosovë i GIZ, James Macbeth Forbes për KALLXO.com sqaroi se konferenca në fjalë ishte organizuar nga Organizata e OKB-së për Agrokulturë dhe Ushqim (FAO) në mbështetje nga fondi i hapur i GIZ.

Macbeth Forbes deklaroi se GIZ është në marrëdhënie të mbështetjes dhe respektit për Republikën e Kosovës ashtu siç është edhe shteti i Gjermanisë, qeverisë së të cilës i përket kjo organizatë.

“GIZ gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë një bashkëpunim të afërt, me respekt dhe rrjedhimisht të frytshëm me Republikën e Kosovës, të cilën Gjermania e njeh si një shtet të lirë dhe të pavarur pa e përdorur fusnotën në konferencat e veta apo publikimet e tjera”, tha për KALLXO.com, drejtori i GIZ për Kosovë.

Letra e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për drejtorin e GIZ për Kosovë.

19 Mars 2017 - 18:51

Doruntina Baliu 19/03/2017 - 18:51
NDËRVEPRIMI0

Dhurata Hoxha u Ankohet Gjermanëve për ‘Trajtim të Pabarabartë’ të Kosovës

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI