Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Dhurata Hoxha: Kemi Vetëm Draft Jozyrtar të Strategjisë së Anëtarësimit

Teksa po raporton në Komisionin për Integrime Europiane, ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha tha se Kosova nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar për strategjinë e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit perëndimor.

Nëpër media kanë dalë informata se në këtë dokument nuk ka rrugë të qartë europiane për Kosovën dhe asaj nuk i jepet afat për anëtarësim në BE.

Ministrja Hoxha tha në komision se në bazë të një drafti jozyrtar nuk ka afate për anëtarësim për asnjërin nga vendet europiane.

“Ne kemi pranu një draft jozyrtar. Në draftin momental nuk jepen afate kohore për asnjë shtet, së paku jo për Serbinë e Malin e Zi”, tha ministrja Hoxha.

Duke komentuar draftin, ministrja konstatoi se askush nuk mund të anëtarësohet pa i kryer detyrat e shtëpisë.

“Në strategjinë cila nuk është përfundimtare thuhet se gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE, por jo pa i kryer detyrat e shtëpisë”, tha Hoxha.

Ajo tregoi edhe se çfarë i kërkohet Kosovës në këtë draft.

“Specifike për Kosovën: i kërkohet bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale dhe kërkohet që Kosova dhe Serbia të kenë një marrëveshje përfundimtare”, tha ministrja.

Ajo më tutje deklaroi se viti 2018 duhet të jetë vit i liberalizimit të vizave, pasi u pyet nga Blerta Deliu për këtë çështje.

Ministrja propozoi një rezolutëpë të Kuvendit me të cilën do të kërkohet që Kosova të mos mbetet prapa në rrugën europiane.

Në mbledhjen e komisionit deputetja Fitore Pacolli tha se me gjithë koncesionet që bëri Kosova, nuk ka përparuar në rrugën drejt BE-së.

“Kosova ka pranu deri tani shumë koncesione të dëmshme e tash po e shohim se Serbia ka përparu në integrime evropiane e Kosova ka mbetur mbrapa”, tha Pacolli.

Deputeti Milaim Zeka tha se me fajin e klasës politike Kosova është kthyer prapa në rrugën e saj europiane.

“Me fajin e parlamentit dhe klasës politike e kemi kthy Kosovën në vitin 2000. Jemi kthy në dy tema demarkacionin dhe Gjykatën Speciale”, tha Zeka.

Deputeti Ilir Deda i kërko ministres të flasë më konkretisht, ndërsa propozimin për rezolutë e konsideroi të vonuar.

“Flisni me data kur është data e fundit që duhet të kalojë demarkacioni. Kjo është detyra e juaj. Në diskutim me neve nuk duhet të flisni në mënyrë të përgjithësuar”, tha Deda.