Dhurata Hoxha | Foto: Ministria e Drejtësisë

Dhurata Hoxha: Gratë po na e Zbardhin Fytyrën Gjithkund

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Integrimit në bashkëpunime me organizatën gjermane GIZ rreth dimensionit gjinor të integrimit europian të vendit, ministrja Dhurata Hoxha tha se gratë kosovare po na e zbardhin fytyrën.

Ministrja tha se është e rëndësishme barazia gjinore në biznes.

“Çështja e fuqizimit të gruas dhe barazia gjinore janë tema që kanë marrë përmasa botërore. Gjithsesi barazia gjinore në biznes është e rëndësishme për ne”, tha Hoxha.

Pabarazia në biznes sipas Hoxhës ka pasoja në jetën e grave dhe fëmijëve të tyre.

“Kur gratë dhe burrat nuk kanë qasje të barabartë në resurse dhe vendimmarrje, kjo ka kosto dhe ka pasoja edhe për fëmijët e tyre, komunitetin dhe të tjerët”, tha Hoxha.

Ministrja më tutje konstatoi se rruga e integrimit mund ta ndihmojë barazinë gjinore.

“Në kuadër të MSA janë shumë veprime të drejtpërdrejta ku nëse gjithë bëhemi bashkë edhe gratë edhe burrat unë mendoj që do të kemi një proces të prekshëm dhe do të përmirësonte barazinë gjinore”, tha Hoxha.

Në agjendën e kësaj konference ishte paraparë edhe pjesëmarrja e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm.

Në debatet komunale të emisionit “Jeta në Kosovë” kandidatët për kryetarë janë pyetur sa gra drejtore do të emërojnë, por shumica prej tyre pas ardhjes në pushtet nuk e kanë respektuar as numrin e grave që premtuan.

http://kallxo.com/rrenat-e-kryetareve-te-komunave-per-emerimin-e-grave-drejtoresha/