Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, Foto: 21Media

Dhunë Kundër Mediave në Çeki

Policia në Çeki ka filluar hetimet, pasi që pjesëtarët e sigurisë dhe mbështetësit e Presidentit Milosh Zeman sulmuan gazetarët në shtabin e tij zgjedhor.

Ata të shtunën në mbrëmje sulmuan me grushte gazetarët e akredituar dhe dëmtuan kamerën e një televizioni privat, e nga fyerjet nuk shpëtuan as gazetaret. Sulmi ndodhi në një hotel në Pragë, ku mbështetësit po kremtonin fitorën e Zemanit në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili u zhvillua tyë premten dhe të shtunën, pasi që Zeman ishte larguar.

Gazetarët tentuan të xhironin ardhjen e automjetit të ndihmës së shpejtë, që kishte shkuar aty për të marrë një mysafir të Zemanit, i cili kishte humbur vetëdijen pasi që ishte dehur.

Reaguan pjesëtarët e sigurimit të shtabit të Zemanit, të cilët filluan të shtyjnë dhe të nxjerrin jashtë gazetarët, ndërsa një nga rojtarët rrëzoi kamerën në tokë, e në ndihmë atij i doli edhe një mysafir i Zemanit, i cili filloi të qëlloi me grushte një gazetar, i cili po tentonte të shpjegojë se gazetarët vetëm po e kryejnë punën e tyre. Shtyrjeve dhe fyerjeve nuk ju shpëtuan as gazetaret.

Sulmi u dënua edhe nga organizata Reporterët Pa Kufij, e cila tha se këto sulme janë një turp për një demokraci evropiane dhe kërkoi që menjëherë të ndalen sulmet kundër gazetarëve./21Media