Komuna e Istogut | Foto: KALLXO.com

Dhunë Fizike ndaj Nxënësit në Istog

Një nxënës i klasës se tetë të shkollës fillore “Bajram Curri” në Istog, pardje është rrahur brenda klasës nga një person i moshës madhore.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Pejës.

“Me datën 01/02/2018 në ora 9:30, Policia Rajonale e Pejës ka pranuar informatë përmes telefonit se në Shkollën Fillore ‘Bajram Curri’ në Istog një person ka hyrë në klasë dhe ka rrahur një nxënës”, tha për KALLXO.com, zyrtari për informim i Policisë se Pejës, Driton Rugova.

Rugova tregoi se i rrahuri ka pranuar tretman mjekësor,

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht ka hasur në stafin e shkollës dhe viktimën. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Istogut”, tha zyrtari për informim i policiës në Pejë.

KALLXO.com merr vesh se një prind ka hyrë në objektin e kësaj shkollës dhe ka rrahur një nxënës që vijon mësimin në një klasë me fëmijën e tij.

Policia e Pejës bëri të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me këtë rast.

“Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është dërguar në mbajtje 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit. Rasti është cilësuar si lëndim i letë trupor”, njoftoi Rugova për KALLXO.com.