Foto: REL/Google Earth

Dhjetëra të Vrarë në Sulmin në një Bazë Ajrore të Sirisë

Mediat siriane raportojnë për disa njerëz të vrarë dhe të plagosur nga një sulm me raketë në një bazë ajrore të Qeverisë siriane.

Siria dhe aleatja e saj, Rusia, thanë se aeroplanët izraelitë kanë kryer sulmin në bazën Tajfur, e cila njihet edhe si T4, pranë qytetit Homs.

Izraeli, i cili më herët ka goditur caqe në Siri, nuk ka komentuar ende.

Agjencia e lajmeve SANA nuk dha detaje për numrin e viktimave, por Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup monitorues, tha se së paku 14 luftëtarë pro-qeveritarë janë vrarë në sulm, përfshirë forca aleate nga Irani.

Raportet për sulmin me raketë pasojnë dyshimet për sulmin kimik të forcave qeveritare siriane në qytetin Douma, i cili kontrollohet nga rebelët.

Sipas aktivistëve dhe burimeve spitalore, së paku 40 veta janë vrarë në sulmin e dyshuar me gaz klori, që ka ndodhur të shtunën.

Siria, Rusia dhe Irani kanë thënë se raportet për këtë sulm janë “të trilluara”.