Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Detyra e Re e Prokurores Shtyn Gjykimin për Ryshfet

Mungesa e prokurores Ikramije Bojaxhiu bëri që seanca ku të akuzuar janë 13 persona për ushtrim ndikimi, marrje dhe dhënie ryshfetit të shtyhej për muajin shkurt.

Gjyqtarja e rastit Shadije Gerguri i njoftoi të pranishmit se ka kuptuar që prokurorja ka pranuar një pozitë të re dhe se nuk do të mund të vijë në gjykim.

Avokati, Asdren Hoxha, që në këtë gjykim mbron Kushtrim Morinën tha se shtyrja e gjykimit me një arsyetim të tillë është papërgjegjësi.

“Seanca u shty pa arsye reale, arsyet ishin subjektive, mosardhja e prokurores, ndërsa arsyetimi i dhënë nga gjykata është i pamjaftueshëm për neve pasi që sipas gjyqtares prokurorja është emëruar në një pozitë të re si prokurore dhe nuk ka pas të drejtë me përfaqësu çështjen më”, tha Hoxha.

Hoxha deklaroi se kjo rrethanë ishte e njohur që moti për prokurorinë dhe përsëri nuk kanë dërguar ndonjë prokuror në këtë rast.

Hoxha e quajti edhe joserioze këtë shtyrje, pasi sipas tij  lënda rrezikon të vjetrohet.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinë  akuzon 13 persona për vepra të ushtrimit të ndikimit, marrjes së ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit.

Esat Belaj nga prokuroria akuzohet për marrje ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës. Belaj akuzohet se ka pranuar para  në cilësinë e kryetarit të Organizatës Studentore “Reforma” dhe student senator, për kryerjen e një provimi nga Valbona Jakupi studente e Fakultetit Ekonomik, ashtu që ka siguruar që në vend të saj të hyjë në provim një person tjetër, por i cili nuk e ka kaluar provimin.

Sipas aktakuzës, Belaj akuzohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator, duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4500 eurosh.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë në UP.

Belaj përpos marrjes së ryshfetit akuzohet edhe për ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për ushtrim ndikimi së bashku me Belajn akuzohen edhe Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri.

Sipas aktakuzës, nga korriku 2009 deri më janar 2012 këta të akuzuar kanë ushtruar ndikim mbi marrjen e vendimeve te personat zyrtarë lidhur me regjistrimin e personave të ndryshëm në fakultete, sidomos në atë të mjekësisë, kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1400 euro.

Të akuzuarit Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti ngarkohen për veprën penale ndihmë lidhur me veprën e ushtrimit të ndikimit.

Të akuzuarit Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit, ndërsa Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

Rajan Zeneli që akuzohej për ndihmë lidhur me ushtrim të ndikimit është liruar nga akuza pasi që vepra për të cilën akuzohej ka arritur vjetrimin.

Sipas aktakuzës  veprat u kryen  përgjatë viteve 2009 dhe 2012 dhe kishin të bënin kryesisht për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.