Vendimi i Gjykates per caktimin e paraburgimit ndaj Bernjashit

Detaje nga vendimi për paraburgimin e Gani Bernjashit

Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit, Gani Bernjashi i cili dyshohet se mbyti djalin e tij 14 vjeçar nga dhuna e tepërt e ushtruar ndaj këtij të fundit me shkop druri, nën arsyetimin se ai ia ka marrë 1 mijë euro.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, në të cilin thuhet se “.. mbrojtësi i të pandehurit Gani Bernjashi, avokati Begzad Hajrullahu e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake, që ndaj të pandehurit të caktohet masa e arrestit shtëpiak…”.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, gjyqtari i procedurës paraprake (Agim Ademi) pasi që ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, departamenti për krime të rënda, për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Gani Bernjashi dhe se, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, si masë e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë të propozuar nga mbrojtësi i të pandehurit, refuzohet duke konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për kërkesën për paraburgim për Gani Bernjashin, babai i 14 vjeçarit i cili dysohet se mbyti këtë të fundit duke ushtruar dhunë të tepërt me shkop druri.

Gjatë ditës së djeshme Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku i tha KALLXO.com se, Gani Bernjashi ushtroi dhunë në djalin e tij 14 vjeçar nën arsyen se ky i fundit i kishte marrë 1 mijë euro nga 3 mijë sa kishte gjithsej.

E gjitha kjo nisi kur Gani Bernjashi u kthye nga një banjë shëruese në shtëpi, dhe kishte hasur se i mungonin 1 mijë euro.

Bernjashi  dyshohet se kishte rrahur për vdekje djalin e tij 14 vjeçar dhe kishe sulmuar vajzën e tij 17 vjeçe në të njëjtën kohë duke i shkaktuar kësaj të fundit lëndime trupore.

Pas rrahjes, Bernjashi kishte mbyllur djalin e tij në një dhomë dhe nuk e kishte kontrolluar fare, pas disa orëve e kishte vërejtur se djali i tij nuk po jep shenja jete, me atë rast familjarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Kryeprokurori i ka thënë KALLXO.com, gjatë ditës së djeshme, se Gani Bernjashi i ka gënjyer Policinë se djali i tij ka bërë aksident deri sa hetuesit e kanë zbuluar se 14 vjeçari ka pasur shenja dhune në trup.

http://kallxo.com/prokurori-jep-detaje-per-vdekjen-e-femijes-ne-kamenice-si-pasoje-e-dhunes-nga-babai/

http://kallxo.com/ekskluzive-kerkesa-e-prokurorise-per-babin-e-dyshuar-se-mbyti-djalin-e-tij/

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-babane-e-dyshuar-se-mbyti-djalin-e-tij/