Këshilli Gjyqësor i Kosovës – Foto: KALLXO.com

Dështon Sërish Zgjedhja e Kryetarit të Gjykatës së Gjilanit, Rishpallet Konkursi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dështuar të zgjedhë kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

“Këshilli do të rishpallë konkurs për pozitën kryetar i Gjykatës Themelore të Gjilanit”, tha kryetari i KGjK-së, Nehat Idrizi.

Kryetari i KGjK-së e mori këtë vendim pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit edhe pas rrethit të tretë të votimit.

Në rrethin e parë me më së shumti vota dolën Ramiz Azizi e Zyhdi Haziri.

Këta dy gjyqtarë morën vota të barabarta (nga 5 secili) edhe në rrethin e dytë dhe të tretë.

Në garë për këtë pozitë ishin tetë gjykatës: Ramiz Azizi, Zyhdi Haziri, Agim Ademi, Mevlide Shabani, Naser Maliqi, Aziz Shaqiri, Mirvete Alidemi dhe Veli Kryeziu.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në janar të këtij viti kishte vendosur të rihapte konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit pasi që asnjëri nga kandidatët nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Në mbledhjen e sotme të KGjK-së është paraparë zgjedhja e gjyqtarëve mbikëqyrës për degët në Podujevë, Kaçanik, Kamenicë dhe Drenas.