Dështon Seanca për ‘Deputetët e Lotsjellësit’

Deputetët opozitarë Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli janë paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës në seancën ku duhej të bëhej shqyrtimi i dytë i aktakuzës ndaj tyre për hedhje të gazit lotsjellës në seancë të Kuvendit të Kosovës, vitin e kaluar.

Por seanca nuk është mbajtur shkaku i mungesës së deputetit tjetër opozitar, Albin Kurti.

Haxhiu, Kadaj- Bujupi dhe Topalli nuk kanë pritur gjatë për t’u paraqitur Kurti por janë larguar nga salla me arsyetimin se kanë punë tjera për të bërë.

“Ne kemi shumë përgatitje për 17 shkurt dhe s’kemi kohë për të humbur”, tha Donika Kadaj.

“Ata që e kanë thirrur seancën nuk ishin aty për më shumë se 15 minuta”, tha ajo duke aluduar në gjyqtarin e rastit, Beqir Kalludra i cili nuk u paraqit fare në sallë të gjykatës, në pritje të ardhjes së Albin Kurtit.

Kalludra u paraqit në sallë rreth orës 9.25 vetëm për ta konstatuar mungesën e deputetëve ndërsa seancën e radhës e caktoi për 23 shkurt.

Ai tha se do të lëshojë urdhër për t’i sjellë me detyrim deputetët në seancën gjyqësore.

Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit për hedhje të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/ [interaction id=”56c1e12817a1f6c0509c8b5c”]