Gjykimi për Rrahjen e Deputetëve Dështon për të 14-tën Herë

Mungesa e Visar Ymerit edhe sot shtyu seancën në të cilin ai së bashku me Rexhep Selimin e Florin Krasniqin, akuzohen për shkaktim të lëndimit të lehtë trupor ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Gjyqtari i këtij rasti Vesel Ismajli tha se edhe në këtë seancë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e saj.

Gjyqtari Veseli tha se nuk është kthyer fletëdërgesa që ishte nisur te kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Ai po ashtu tha se nuk i ka mbetur tjetër pos të lëshojë urdhër arrest lidhur me mungesën e kreut të VV-së, që është masa më e ashpër për sigurimin e pranisë së të pandehurit në seancë.

Në një vendim tjetër, Veseli njoftoi palët se procedura lidhur me të akuzuarin Florin Krasniqi është veçuar pasi që ai gjendet jashtë Kosovës.

Pas përfundimit të seancës, pala e dëmtuar në këtë rast Bekim Haxhiu tha është hera e 14-të që kjo seancë nuk po mbahet.

“Është e 14-ta herë që vij në seancë për të kërkuar drejtësi, dhe është e 14-ta herë që gjykata nuk i plotëson kushtet ligjore për mbajtjen e seancës. Është papërgjegjësi e gjykatës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se drejtësia nuk po vepron për të gjithë qytetarët njësoj.

“Sigurisht se për qytetarë të tjerë do të veprohej ndryshe po kjo është ajo çka po ndodh me institucionet e drejtësisë, është për t’u habitur, 14 herë të ftohesh dhe të mos paraqitesh në gjykatë. Unë i ftoj qytetarët tjerë që kushdo që është i akuzuar të paktën 14 ose 15 herë të mos i paraqiten gjykatës, kjo është modeli që ka instaluar gjykata”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër deputeti i VV-së, që në këtë rast është në cilësinë e të akuzuarit, Rexhep Selimi tha se mungesa e Visar Ymerit shtyu seancën, ndërsa shkak mund të jetë mungesa e ftesës.

 

Ky rast gjyqësor ka të bëjë me rrahjen e deputetëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së në vitin 2012 në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në këtë përleshje ishin përfshirë deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e Visar Ymeri, dhe ai i PDK-së, Bekim Haxhiu.

KALLXO.com kishte raportuar muajin e kaluar se ky rast mund të parashkruhet pa pasur një epilog për shkak të parashkrimit absolut, të paraparë sipas Kodit Penal të Kosovës.

http://kallxo.com/rrahjes-se-deputeteve-po-i-kalon-afati/