Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Dështon Seanca, i Akuzuari në Punë Jashtë Kosovës

Mungesa e të akuzuarit, Fatmir Muriqi, ka qenë shkak i dështimit të mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor ndaj tij, i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për mashtrim.

Muriqi ishte bashkëakuzuar me ish- zyrtarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë, Jahja Imami, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit dhe Fatmir Muriqi për mashtrim, ndonëse Imami kishte arritur marrëveshje me prokurorinë dhe ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Gjakovës duke i shqiptuar dënim me kusht.

Në atë kohë, ai kishte qenë i pakapshëm për organet e rendit.

Për Gjykatën e Gjakovës ishte e njohur se Muriqi ishte në paraburgim për një rast tjetër në Prishtinë dhe e kishte kuptuar që masa e paraburgimit ndaj tij ishte ndërprerë.

“…Ndërsa nuk është prezent i akuzuari Fatmir Muriqi, për të cilin Gjykata me shkrese të veçantë i është drejtuar Njësitit për transportin e te Burgosurve ne Lipjan, që i njëjti të sillet për seancën e sotme mirëpo kryetari i Trupit Gjykues është njoftuar që këtu i akuzuari Fatmir Muriqi me aktvendimin e Gjykatës Themelore ne Prishtinë ka qenë në paraburgim mirëpo ndaj tij ka përfunduar procedura dhe i njëjti është lëshuar nga Qendra e Paraburgimit…”, tha kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika.

Mbrojtësi i të akuzauri Fatmir Muriqi, avokati Prek Kola tha se klienti i tij gjendet me punë jashtë Kosovës.

“Klienti im gjendet jashtë Kosovës, është duke punuar dhe nuk ka pasur pushim, mirëpo në momentin e parë që do t’i jepet mundësia, ai do të jetë këtu, në afatin sa ma të shkurtë kohor”, tha avokati Kola.

Sipas aktakuzës, Jahja Imami si person zyrtar në ish-Gjykatën e Qarkut në Pejë i ka mundësuar të akuzuarit të dytë Fatmir Muriqit nga Peja të fitojë dobi pasurore prej 28.000 euro duke i vërtetuar kontrata mbi shitblerjen me vulën katrore.

Prokuroria pretendon se kontratat Imami i vërtetoi edhe përkundër faktit se i pandehuri Fatmir Muriqi nuk posedonte autorizim për shitblerje.

Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës kjo vepër ka ndodhur në dhjetor të vitit 2011.

http://kallxo.com/prokurori-mungon-ne-gjykimin-e-ish-zyrtarit-te-gjykates/