Dështon Dekretimi i Gjykatësve e Prokurorëve Serbë, Thaçi Akuzon Serbinë e BE-në

42 gjykatësit dhe 14 prokurorët nga veriu i Kosovës nuk shkuan sot ta bëjnë betimin para Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit, në një deklaratë të shkruar, akuzoi Serbinë se i ka penguar gjykatësit dhe prokurorët të vijnë për ta bërë betimin para tij.

Sipas Thaçit, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është “edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”.

Akti i sotëm i betimit, sipas tij, kishte për qëllim zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, tha Thaçi në një deklaratë.

Krahas Serbisë, Thaçi akuzoi edhe Bashkimin Europian për këtë dështim.

“Veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”, tha ai.

Por Thaçi u shpreh i gatshëm që ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt”, tha ai.

Dje BE kishte konfirmuar se gjithçka është gati për fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

http://kallxo.com/konfirmon-neser-fillon-zbatimi-marreveshjes-se-drejtesise-per-veriun/

Sot paradite, krerët e sistemit të drejtësisë në Kosovë ishin në takim me Presidentin.

http://kallxo.com/kreret-e-drejtesise-se-kosoves-ne-zyren-e-thacit/