Dështimi i Shtetit në Kontrollin e Automjeteve

Emisioni i radhës “Drejtësia në Kosovë” solli hulumtimin ekskluziv i cili dëshmon se si kanë dështuar institucionet shtetërore që t`i vënë nën kontroll qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve.

Të gjeturat nga hulumtimi disa javor dëshmojnë për dështimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Tregtisë dhe Industrisë, të cilat për 12 vjet rresht nuk kanë arritur t`i kontrollojnë pajisjet e qendrave për kontrollin teknik të automjeteve.

Emisioni solli dëshmi se asnjëra nga 105 qendrat për kontrollin teknik të automjeteve nuk kanë pranuar që t`i binden ligjit për siguri në komunikacion, në përjashtim të tri prej tyre.

Të gjeturat nga hulumtimi, kanë faktuar se si këto dy ministri në përpjekjen e tyre të parë që t`i kalibrojnë pajisjet e qendrave për kontrollim teknik të automjeteve, kanë dështuar me autorizimin e një kompanie private, e cila nuk ka përfillur tarifat e caktuara me udhëzimet administrative në fuqi.