Dështimi 12 Vjeçar i Shtetit në Kontrollin e Automjeteve

Emisioni i radhës “Drejtësia në Kosovë” sjell hulumtimin ekskluziv i cili dëshmon se si kanë dështuar institucionet shtetërore që t`i vënë nën kontroll qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve.

Të gjeturat nga hulumtimi disa javor dëshmojnë për dështimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Tregtisë dhe Industrisë, të cilat për 12 vjet rresht nuk kanë arritur t`i kontrollojnë pajisjet e qendrave për kontrollin teknik të automjeteve.

Emisioni i sontëm sjell dëshmi se asnjëra nga 105 qendrat për kontrollin teknik të automjeteve nuk kanë pranuar që t`i binden ligjit për siguri në komunikacion, në përjashtim të tri prej tyre.

Të gjeturat nga hulumtimi, kanë faktuar se si këto dy ministri në përpjekjen e tyre të parë që t`i kalibrojnë pajisjet e qendrave për kontrollim teknik të automjeteve, kanë dështuar me autorizimin e një kompanie private, e cila nuk ka përfillur tarifat e caktuara me udhëzimet administrative në fuqi.

Hulumtimi po ashtu sjell të dhënat që tregojnë se si u bë që kompania e autorizuar nga shteti të mos i përfill ligjet dhe udhëzimet në bazë të të cilave ka marrë lejen që të bëjë kalibrimin e pajisjeve në qendrat për kontrollim të automjeteve.

Poashtu të gjeturat tregojnë se me autorizimin e vetëm një kompanie, është eliminuar konkurrenca e lirë, është krijuar monopol, gjë  cila sipas pronarëve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve shkon në dëm të tyre.

Të gjitha këto dhe fakte tjera do të mund t`i ndiqni në emisionin e radhës “Drejtësia në Kosovë”.

Në fund të emisionit do mund të ndiqni rubrikën e rregullt Policia. Drejtësia në Kosovë transmetohet do të premte në ora 22:30 në Radiotelevizionin Publik të Kosovës- RTK dhe repriza të hënë në mesditë.