Dëshmitarit që i Mungon një Veshkë do të Dëshmojë në rastin 'Medicus'

Trupi gjykues në seancën kundër Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit në rastin “Medicus” miratoi kërkesën e prokurores Valeria Bolici që një dëshmitar i mbrojtur të dëshmojë me video-lidhje nga një vend tjetër.

Kryetarja e trupit gjykues Franceska Fischer tha se ky trup ka ardhur në përfundim  se e drejta e dëshmitarit për siguri personale mund të arrihet vetëm duke u dëgjuar ai nga një vend në distancë.

Para se të merrej vendimi për dëshmi me video-lidhje të dëshmitarit të mbrojtur, mjekja ligjore Carmen Barbu tregoi se atij i mungon veshka e majtë.

“Me anë të ultrazërit të kryer nga urologu është mundur të konstatohet se njëra veshkë e pacientit nuk gjendet në vendin e vet dhe një gjë e tillë ka mundur të vërtetohet edhe përmes fotografimit me CT me ç’rast është konfirmuar mungesa e veshkës së majtë dhe prania e veshkës së djathë”, tha Barbu.

Barbu më tutje konstatoi se veshka këtij pacienti nuk i është hequr për shkak të ndonjë sëmundjeje.

“Nuk ka pasur ndonjë patologji apo traumë të rëndë në të kaluarën e pacientëve që do të arsyetonte nga këndvështrimi mjekësor heqjen e veshkës për shkak të ndonjë gjendjeje patologjike”, tha Barbu.

Ekspertja u pyet pastaj nga prokurorja Valeria Bolici se cila veshkë hiqet zakonisht kur dikush e dhuron atë për ndonjë person tjetër.

“Në rast të transplantimit të veshkës në qoftë se ka një dhurues të veshkës zakonisht merret veshka e majtë pasi që vena është më e gjatë dhe është më e lehtë që të riparohet”, shpjegoi Barbu.

Valon Hasani, avokati i Lutfi Dervishit, e pyeti eksperten Barbu se raportet e saj a i ka hartuar nga dokumentet mjekësore, apo nga marrja e informatave prej pacientëve.

Barbu tha se raportet i ka hartuar nga marrja e informatave prej pacientëve.

“Anamneza nënkupton historikun mjekësor të pacientit, i marrë apo i treguar në mënyrë gojore nga pacienti gjatë kontrollit mjekësor”, u përgjigj ajo.

Franceska Fischer, kryetarja e trupit gjykues, e pyeti mjeken ligjore Barbu se a duhet ta dijë anesteziologu llojin e operacionit që do të kryhet ndaj pacientit.

“Në mënyrë të përgjithshme duhet ta dijë, mund të themi se është punë ekipore. Ata duhet të jenë të njoftuar se çfarë operacioni po i nënshtrohet pacienti”, u përgjigj Barbu.

Në këtë proces gjyqësor Sokol Hajdini në cilësinë e anesteziologut po akuzohet për lëndim të rëndë trupor, ndërsa Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim.

Seanca e radhës do të zhvillohet të martën.