Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Rasti 'Vukotiq', Dëshmitari Tregon si e Detyruan të Rrahet me Vëllain e tij

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit për krime lufte ndaj popullatës civile në zonën e Vushtrrisë, dëshmitari Bekim Musa tregoi se si një polic i Serbisë e vrau një djalë në vitin 1999 në Studime të Vushtrrisë.

Vrasjen e djalit dëshmitari e përshkroi kur u pyet nga prokurori se ku ndodhej më 2 maj të vitit 1999.

Bekim Musa tha se atë ditë ndodhej në fshatin Studime, ndërsa bashkë me njerëz tjerë në kolonë po lëvizte drejt Vushtrrisë, ashtu siç tha se i kishte urdhëruar policia serbe.

“Gruaja e axhës ka pasë nje çantë, ndërsa një djalë aty po i ndihmonte, ka ardhë një polic i veshur me uniformë ka kapë djalin e ka tërhjek dhe e ka vra”, tha deshmitari.

Ai tha në gjykatë se kishte parë edhe të vrarë tjerë.

“Unë vetë kam parë persona të vrarë në traktor”, tha Bekim Musa.

Dëshmitari deklaroi se kishte parë edhe kuaj të vrarë, nëpër gjakun e të cilëve tha se kolona kishte ecur për disa metra.

“Ka pasë kuaj të vrarë dhe kemi ecur nëpër gjakun e tyre rreth 30- 40 metra. Pas kësaj ka fillu breshëri plumbash dhe jemi shtri të gjithë në tokë, një kohë kanë zgjatë plumbat që na kanë ardhë përmbi”, tha Bekim Musa.

Bekim Musa tregoi pastaj se ishte i burgosur bashkë me vëllanë e tij, ndërsa rrëfeu se si Vukotiq i kishte detyruar dy vëllezërit të rrihen mes vete.

“Zorani më ka detyruar me u rrahë me vëllain tim Shukriun”, tha dëshmitari Musa.

Ai më pas shpjegoi në detaje se si ndodhi kjo rrahje.

“Na kanë qit ballë për ballë sikur në ring dhe na kanë thanë me u rrah në mes veti. Ne kemi fillu me u rrah pak, pastaj Zorani më ka godit me shuplakë dhe më ka thanë jo kshtu, më shumë. Pas kësaj i kam thanë vëllait më mirë me më rrahë ti, sesa me na rrahë kta dhe kemi fillu me u rrahë me njëri-tjetrin”, tha dëshmitari Musa.

Duke iu përgjigjur pytejeve të prokurorit Paul Flynn se si silleshin të burgosurit në Smrekonicë kur në ndërrim ishte Zoran Vukotiqi, dëshmitari tha se kishte të burgosur që për t’iu shmangur maltretimeve nuk shkonin as për të ngrënë bukë në kuzhinën e burgut.

“Sa kemi qëndru në Burgun e Smrekonicës, e di që kur ka qenë radha që Zorani me ba roje, të gjithë të burgosurit frikësoheshin. Ka pasë edhe prej atyre qe as bukë nuk kanë shku me hangër për shkak të frikës nga ai”, tha dëshmitari Musa.

Ai përmendi edhe një rast tjetër kur tha se u rrah nga Zoran Vukotiqi.

“Zorani më ka rrahur me pendrek duarve, kur kam shkuar ne kuzhinë për të ngrënë bukë”, tha dëshmitari.

Bekim Musa tha se ka dëgjuar se tash i akuzuari Vukotiq e kishte detyruar një të burgosur ta rrihte babanë e tij.

“Me pa nuk e kam pa, por kam ndi që e kanë detyru djalin me e rrah babain dhe krejtve na ka ardhë shumë keq, se ma zor se me rrah djali babën nuk ka, aq më pak kur je i detyruar”, tha dëshmitari.

Musa e përmendi edhe pamjen e Zoran Vukotiqit në kohën e luftës.

“Zorani ka qenë një polic i gjatë dhe i plotë, e di që ka punu në gjykatë para lufte”, tha dëshmitari.

Në gjykimin e Vukotiqit dëshmoi edhe Shukri Musa që është vëllai i Bekim Musës.

Shukri Musa tregoi se ushtria serbe në kooperativën bujqësore në Vushtrri i kishte ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat prej një kolone që po lëvizte në fshtrat e Vushtrrisë gjatë kohës së luftës.

Ai deklaroi se pas ndarjes burrat ishin hipur nëpër kamionë dhe ishin dërguar në Burgun e Smrekonicës.

“Kur kemi arritur në Burgun e Smrekonicës jemi bërë rresht për një dhe i kemi dhënë të dhënat personale te një njeri që ishte aty”, tha Shukri Musa.

Ai bëri të ditur se katër ditë nuk u kanë dhënë ushqim në burg.

“Pas katër ditëve  na e kanë sjellë 1 kilogram kripë dhe e kena marrë secili e kena qit ngapak në dorë dhe kemi vazhdu edhe atë ditë vetëm me ujë”, tregoi vuajtjet Shukri Musa.

Ai tregoi se të gjithë të burgosurit në Smrekonicë kishin vetëm 30 minuta për të kryer nevojat e tyre fiziologjike në banjo.

Në seancën e kaluar njëri nga dëshmitarët tregoi se e kishte parë Vukotiqin teksa kishte vrarë një 14 vjeçar në Studime të Vushtrrisë.

http://kallxo.com/deshmitari-e-pash-vukotiqin-kur-e-ekzekutoi-nje-14-vjecar-ne-studime/

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në  Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në  sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në  mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafunda, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në  mesin e këtyre civilëve të  vrarë, plagosur dhe të trajtuar në  mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mulaku, Xhavit Mulaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një  14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu dhe Musa Gërxhaliu.

http://kallxo.com/aktakuze-per-vrasjen-e-nje-femije-ne-kohen-e-luftes/

Një aktakuzë tjetër ndaj Vukotiqit u ngrit më 17 maj të këtij viti nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vukotiq akuzohet se më 5 maj 1999 në Vushtrri bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Në aktakuzë më tutje tregohet se Vukotiq e Paunoviq me dashje kanë rrahur dhe pastaj edhe vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Vukotiq akuzohet edhe për trajtimin çnjerëzor të 17 personave, të cilëve, sipas aktakuzës u shkaktoi lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zoran-vukotiqit-per-krime-lufte/

Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në raport me dy aktakuzat e ngritura ndaj tij. Ai ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.