Gjykata në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Tregon se i Dha 100 Euro Zyrtarit të Akuzuar

Gazmend Zeqiri tregoi në gjykatë se ia kishte dhënë 100 euro zyrtarit të akuzuar Vlladimir Kovaçeviq për të mos e larguar nga skema e ndihmave sociale.

Zeqiri tha se paratë ia kishte dhënë Kovaçeviqit, ish-zyrtarit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në fshatin Priluzhë të Vushtrrisë që komisioni për verifikim të mos shkojë në shtëpinë e tij.

Dëshmitari deklaroi se këto para i kishte dhënë Kovaçeviqit në zyrën e tij në fshatin Prilluzhë, ku i akuzuari kishte punuar si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale.

Gjithashtu dëshmitari tregoi se ai paraprakisht kishte lajmëruar policinë se Kovaçeviq i kishte kërkuar para për shërbimin, ndërsa policët i kishin dhënë të dëmtuarit shumën prej 100 eurove në dy bankënota nga 50 euro.

Më pas ai i shoqëruar nga dy policët kishte shkuar deri afër zyrës, ndërsa ishte futur brenda në zyrë për t’ia dhënë paratë të akuzuarit.

Zeqiri bëri të ditur se ishte detyruar ta nënshkruante një dokument në të cilin mohonte se i akuzuari kishte kërkuar para prej tij. Këtë nënshkrim tha se e kishte vënë, pasi i akuzuari kishte shkuar në shtëpinë e babait të dëshmitarit.

Në fund të seancës deklarata e dëshmitarit u kundërshtua nga avokati Korenica, duke thënë se kjo deklaratë nuk përputhej me atë të dëshmitarit dhënë në polici në vitin 2016.

Dëshminë e tij e ka dhënë edhe Mitar Kostiq, i cili deklaroi se e njihte të akuzuarin e po ashtu edhe të dëmtuarin Gazmend Zeqiri.

Kostiq tregoi se me babanë e të dëmtuarit kishte pasur një marrëveshje për punimin e tokës. Sipas kësaj marrëveshje gojore në afat prej një viti atij nga babai i të dëmtuarit do ti paguhej shuma prej 100 eurove.

Kjo deklaratë u kundërshtua edhe nga i akuzuari Vlladimir Kovaçeviq që e cilësoi të pavërtetë.

Para se të dëshmonte Gazmend Zeqiri, i akuzuari Vlladimir Kovaçeviq u deklarua i pafajshëm.

Prokurori Ismet Ujkani në fjalën e tij hyrëse tha se nga provat që do të nxirren dhe ato që janë në aktakuzë, duke përfshirë edhe procesverbalin e kontrollimit të të pandehurit ku nga policia janë gjetur dy kartëmonedha nga 50 euro, do të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Faruk Korenica tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet plotësisht fakti se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën më të cilën ngarkohej.

Avokati shtoi se ishin bërë shkelje flagrante nga ana e prokurorisë që prej fillimit kur ishin ndërmarrë masat të fshehta, sigurimi i dhënies së ryshfetit. Sipas tij këto akuza nuk kanë përshkrim e as arsyetim të denjë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Vlladimir Kovaçeviq duke punuar si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Prilluzhë ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

I akuzuari ishte dakorduar më të dëmtuarin, në atë mënyrë që i dëmtuari Gazmend Zeqiri do t’ia paguante shumën prej 100 eurove, për  të realizuar të drejtën e tij të asistencës sociale duke i thënë të dëmtuari se duhet të riaplikojë, edhe pse me vendimin të gjykatës ka të drejtë në asistencë sociale, duke shtuar se fare nuk do të dërgonte komision për verifikim në shtëpinë e tij, nëse do të paguante këtë shumë.

Sipas prokurorisë, me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu pasi i dëmtuari i kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 100 eurove, me rastin e pranimit i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit, thuhet në aktakuzë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 10 prill 2018.