Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Tregon sa u Pagua për Punën në ‘Medicus’

Islam Bytyqi, dëshmitar në Rastin Medicus, tregoi sot në gjykatë se në këtë klinikë e kishte kryer detyrën e anesteziologut, edhe pse në qershor të 2010-ës kishte thënë se bashkë me Sylejman Dullën ishin vetëm ndihmës të anesteziologut tjetër Sokol Hajdini.

Bytyqi sot ndërroi fjalët në raport me ato që i kishte thënë 7 vjet më parë në lidhje me punën që kishte kryer në Klinikën “Medicus”, duke konstatuar se anesteziologjia duhet kryer në ekip.

“Asnjëherë nuk ka pasur një ndarje strikte [të punëve]por ka qenë punë ekipore, dikush ka bërë diçka, e dikush tjetër diçka tjetër”, u përgjigj dëshmitari Bytyqi.

Prokurorja Valeria Bolici e pyeti pastaj dëshmitarin se pse në vitin 2010 kishte thënë se Sokol Hajdini ishte anesteziologu?

“Duke marrë për bazë hierarkinë dhe moshën që e kemi dr.Sokoli ka qenë me përvojë profesionale me të gjatë se ne dhe aty jam bazuar kur kam thënë se dr.Sokoli ka qenë anesteziologu”, tha Bytyqi që më herët ishte i akuzuar i këtij procesi, por më pas ishte liruar.

Edhe Ramë Gashi, avokati i Sokol Hajdinit kërkoi të dijë nëse Islam Bytyqi në Medicus punoi si anesteziolog, apo kishte rol sekondar.

Bytyqi tregoi se kishte punuar si anesteziolog.

Avokati Gashi më tutje i kërkoi dëshmitarit ta përshkruajë sallën e operacionit në “Medicus” dhe rolin që ka pasur aty.

Dëshmitari tregoi se në sallë, kirurgët dhe infermieret që u ndihmojnë qëndrojnë në pjesën sterile të sallës, ndërsa anesteziologët në pjesën josterile.

Dëshmitari në fund tregoi arsyen e vërtetë pse shtatë vjet më parë tha se ishte vetëm ndihmës anesteziologu.

“Ajo dëshmi ka qenë kur unë kam qenë i pandehur dhe secili ka qejf ta mbrojë veten kur je i akuzuar për diçka për të cilën nuk je përgjegjës sepse e di që ke punuar në mënyrë legale, çdo send që është kryer atje ka qenë e shënuar në listën e anesteziologjisë”, tha Bytyqi.

Ai dha informata edhe sesa ishin paguar anesteziologët për punën në Medicus. Tha se për çdo operacion ata kanë marrë 20, 30 e deri 50 euro, të cilat më pas i kanë ndarë mes vete.

Bytyqi më herët gjatë ditës kishte thënë se mori pjesë në gjashtë operacione ku personave iu vendosën veshkat.

http://kallxo.com/deshmitari-mora-pjese-ne-operacione-ku-u-vendosen-veshka/

Me pëlqimin e të gjitha palëve në procedurë u vendos që dëshmitë e dëshmitarëve Imer Elezi, Driton Shala, Agim Humolli si dhe Milazim Tahiruka të konsiderohen të lexuara me përjashtim të pyetjeve dhe përgjigjeve që kanë të bëjnë me provat të cilat janë shpallur si të papranuara.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 11 dhjetor ku si dëshmitar i radhës do të dëgjohet eksperti Kristian Ujvari.