Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Tregon Pse e la Punën në ‘Medicus’

Në gjykimin e mjekëve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini sot dëshmoi Tefik Bekteshi që tha se është internist i kardiologjisë dhe këtë profesion e ushtron që 25 vjet.

Bekteshi punoi në projektin e kardiokirurgjisë së Klinikës “Medicus” nga viti 2005 deri në vitin 2008, ndërsa nga prokurorja u pyet pse e la këtë punë.

Dëshmitari tregoi se në sallën e kardiologjisë invazive pa lejen e tij hynin edhe mjekë tjerë, ndërsa deklaroi se ajo që bëhej në këtë sallë identifikohej me punën e tij.

Bekteshi tha se nuk mund të lejonte të punohej në atë sallë pa mbikëqyrjen e tij.

Dëshmitari që në fillim të seancës tregoi se e pranoi punën në “Medicus” për shkak të projektit serioz të kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë tha se më vonë e kuptoi që ky projekt nuk do të shkojë përpara.

“Pas shumë bisedave rreth projektit të kardiokirugjisë me Prof.Lutfi Dervishi dhe ndoshta prof.Hake ka pasur tendenca që ta shtyjmë projektin më tutje, por pas shumë përpjekjeve jam bindur që ndoshta kjo çështje nuk do të shkojë përpara”, tha dëshmitari.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin për një email që Bekteshi ua kishte dërguar Lutfi Dervishit dhe mjekut gjerman Manfred Beer në të cilin kishte dhënë 16 arsye pse po e linte punën në “Medicus”.

Dëshmitari tha se e-mailin e ka shkruar i frustruar nga projekti që po r[rënohej e në të cilin tha se kishte investuar.

“Ajo që më ka frustruar ka qenë mospërparimi i kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë” tha dëshmitari.

Njëra nga pikat e e-mailit ishte presioni që dëshmitari i bënte Lutfi Dervishit për licencimin e Klinikës Medicus.

Në lidhje me moslicencimin reagoi i akuzuari Dervishi, duke thënë se Klinika Medicus është nga të parat që është licencuar në Kosovë.

“Medicusi ka qenë spitali i parë që është licencuar në Kosovë dhe asnjë spital tjetër edhe pse kanë punuar rregullisht nuk kanë qenë të licencuar dhe unë kam qenë promotor i presionit në Ministri që të fillohet me licencë për spitale”, tha Dervishi.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim.