Fatmir Limaj në Gjykatë për rastin "Bellanica" - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Tregon për Momentin Kur me Limajn Shkuan të Kufomat

Në gjykimin për krime lufte ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limajt, kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po e akuzon ish-komandantin e UÇK-së në lidhje me vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja, më 2 tetor të vitit 1998.

Skender Hoti, Ejup Hoxha dhe Imer Hoxha ishin tre dëshmitarët e radhës në procesin e njohur si “Bellanica”.

Dëshmitari Skender Hoti, i cili tha se ka qenë komandant i njësitit “Çeliku 5”, ka rrëfyer në Gjykatën e Gjakovës për momentin kur kishte qenë bashkë me Limajn te “Shupa” e Banjës dhe kur aty kishin ardhur dy persona dhe i kishin pyetur nëse e kishin parë një veturë në të cilën gjendej dikush i tyre.

Hoti tha se me Limajn kishin qenë bashkë edhe te kufomat e dy civilëve të vrarë.

Ai tregoi edhe se si dhe pse e kishte marrë pushkën e një civili që ishte gjendur pranë kufomave.

“Nuk mund ta di në detaje. Nuk ishte afër kufomave por unë e pyeta atë civilin fillimisht a je ushtar ai më tha jo. E kur e pyeta e kujt është kjo armë, ai më është përgjigjur: e një ushtari, e unë e kam marrë armën e kam futur në automjet dhe këtij personi civil i kam thënë t’i thotë atij ushtari se armën mund ta marrë tek unë në fshatin Tërpezë”, tha dëshmitari Skender Hoti.

Hoti tregoi se te kufomat e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit ka qenë bashkë me të pandehurin Fatmir Limaj.

Më pas në Gjykatë dëshmi dha Ejup Hoxha, i cili bashkë me djalin e të ndjerit Ramiz Hoxha, Enverin, u ishin vënë pas personave të maskuar të cilët e kishin marrë Ramiz Hoxhën me veturë.

Gjatë dëshmisë së tij, Ejupi tha se nuk e njeh Fatmir Limajn.

“Djali i viktimës, Enveri, ka ardhur me automjet e unë bashkë me Enverin kemi shkuar pas tyre deri në vendin ku i kemi takuar të ndjerët pa jetë… Nuk më kujtohet të ketë pasur Enveri pushkë me vete dhe nuk e di nëse ka pasur ndonjë pushkë te kufoma”, shtoi ai.

Kur u pyet nga prokurorja speciale, Drita Hajdari, nëse e kishte parë te vendi i ngjarjes, te kufomat, Fatmir Limajn, Ejup Hoxha tha se nuk e ka njohur dhe nuk e ka parë. “Hera e parë që po e shoh tani”, tha Ejup Hoxha.

Dëshmitari i tretë ishte Imer Hoxha, imami i Bellanicës, të cilin sipas dëshmisë së dhënë nga vëllai i Ramiz Hoxhës, Hajrizi, në emisionin “Drejtësia në Kosovë“, kishin dashur ta merrnin me vete personat e maskuar.

Gjatë dëshmisë, dëshmitari tha se nuk mund të flasë shumë për ngjarjen sepse nuk e ka parë me sytë e tij.

“Unë atë ditë kam qenë në xhami. Jam kanë njeri i fundit që kam dalë nga xhamia. Unë pak kam parë me sytë e mi pasi i pari kam hy në xhami dhe i fundit kam dalë nga xhamia. Kur kam dalë nga xhamia i kam par disa njerëz me maska dhe ishte tollovi. Unë prej së largu e kam parë atë ngjarje. Pra kam parë njerëz me maska duke biseduar me xhematin, por fjalët e bisedat nuk i kam ndi”, tha hoxha i fshatit Bellanicë.

Po ashtu, para se të niste seanca e djeshme, i dëmtuari Fadil Hoxha kërkoi fjalën nga kryetari i trupit gjykues për të konstatuar në procesverbal një bisedë që kishte pasur me vëllain e Fatmir Limajt gjatë një pauze kur po mbahej shqyrtimi gjyqësor më 16.10.2017.

“Kur ishim në pauzën e dytë, kur axha im ka qenë duke biseduar me Fatmir Limajn dhe vëllain e tij, pasi i njëjti ka dëshmuar dhe nuk ka asgjë të keqe që kanë biseduar së bashku, por e kam pa një person duke marrë me kamerë me telefon dhe unë i kam thane eja këtu axhës e vëllai i Fatmir Limajt që ishte poshtë më ka thanë: Nëse vëllai im del fajtor – të kam borxh një gjak, e nëse nuk del fajtor më ke borxh”, tha i dëmtuari Fadil Hoxha.

“Unë këtë nuk e ndi si kërcënim por dua ta njoftoj Gjykatën me këtë fakt dhe desha të konstatohet në procesverbal”, shtoi Fadil Hoxha.

Seancat e radhës u caktuan më 15 dhe 16 janar 2018 në ora 10:00.

KALLXO.com raportoi edhe për dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë në seancën e së hënës.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-si-u-vra-ramiz-hoxha-nga-bellanica/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Bellanica”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.