Dëshmitari: 'Shumë Herë po Bëhen Pyetje Budallica'

Në gjykimin e Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë, dëshmitarit Musa Rexhaj nuk i pëlqyen disa nga pyetjet që iu shtruan.

“Shumë herë pyetjet [e atyre] që nuk janë njohës të lamisë së caktuar bëhen si pyetje budallica”, tha Rexhaj.

Pas kësaj përgjigjeje prokurori special Admir Shala u  ndie i ofenduar.

“Ne dëgjuam deklarimin e dëshmitarit i cili po ashtu në përgjigjen e tij e ofendoi prokurorin e shtetit dhe tha se kjo pyetje është budallicë,” tha prokurori.

Prokurori tha më tutje se dëshmitari është i ndikuar dhe kërkoi nga gjykata që ai të trajtohet dëshmitar kundër prokurorisë.

Ai kërkoi që t’i mundësohet marrja në pyetje e dëshmitarit në mënyrë të tërthortë.

“Kjo tregon se dëshmitari është i ndikuar dhe tani kërkoj nga gjykata që të më lejojë që këtë dëshmitar ta marr në pyetje  në mënyrë të tërthortë dhe ta trajtojmë si dëshmitar kundër prokurorisë”, tha prokurori Shala.

Reagime pati edhe nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve për mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarit nga ana e prokurorit.

Seanca u ndërpre në kohën e pauzës dhe ajo do të vazhdojë në janar të vitit të ardhshëm.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, bashkë me Bekim Fushën, Zenel Kuqin, Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin  akuzohen për keqpërdorim të detyrës.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.