Gjykimi për njehsorët "Kohler" | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Shpenzimet 100 % më të Larta me Njehsorin ‘Kohler’

Në gjykimin e zyrtarëve të Agjencisë së Metrologjisë për lejimin e përdorimit të njehsorëve elektrikë “Kohler”, dëshminë e tij e dha  i dëmtuari Rrahim Havolli.

Havolli tha se shpenzimet e tij me njehsorin “Kohler” kanë qenë 100 për qind më të larta se me njehsorin “Iskra”.

“Shpenzimet më të mëdha kanë qenë, ne e kemi diktuar në faturën e parë, është një përqindje e madhe diku 100% më shtrenjtë ora elektrike ‘Kohler’ sesa ajo ‘Iskra’”, tha Havolli.

Dëshmitari tregoi se pas një muaji ishte ankuar në KEDS për shpenzimet e larta me orën “Kohler”, ndërsa ora i ishte ndërruar vetëm pas një viti.

“Pas heqjes së orës ‘Kohler’ dhe vendosjes së orës tjetër digjitale, kjo orë ka shpenzime më pak sesa ajo ‘Kohler’ rreth 15-20%” tha Rrahim Havolli.

Por Besnik Berisha, avokati i Avni Alidemajt tha se njehsori i “Iskra”-s mund të ketë pasur shpenzime më të ulëta, ngase kishte të futur përreth qelqit një shirit fotografik.

“A jeni në dijeni se ky njehsori i ‘Iskra’ është ekzaminuar në laboratorin e KEK-ut dhe më atë rast është konstatuar që në këtë njehsor përreth qelqit është futur shirit fotografik. Çfarë mund të na thoni, sepse unë po mendoj se për shkak të këtyre rrethanave shpenzimet mund të kenë qenë më të vogla dhe ndoshta t’i e ke bërë këtë” e pyeti dëshmitarin avokati Besnik Berisha.

E dëshmitari e mohoi të ketë bërë një gjë të tillë, duke u përgjigjur se një gjë e tillë  nuk është e vërtetë.

Avokati Berisha më tutje e pyeti dëshmitarin se dëmet nga shpenzimet e rrymës i kishte bërë vetë ai, apo ndonjë ekspert.

Dëshmitari Havolli u përgjigj se një përllogaritje të dëmit e kishte bërë ai vetë duke bërë krahasimin e faturave.

Avokati pastaj e pyeti dëshmitarin se a e dinte që babai i tij po ndiqej penalisht për vjedhje të rrymës dhe që sipas tij kjo procedurë kishte pushuar pas vdekjes së të akuzuarit.

Dëshmitari Havolli e mohoi edhe këtë gjë.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Blerim Sokoli, i cili ndërkohë kishte vdekur.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, iu ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli akuzohej se lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

Seanca e radhës do të mbahet me 31 gusht kur është paraparë të dëshmojnë  Imer Hertica e Selmon Hoti.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.