Pamje nga gjykimi i Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i Sëmurë, Shtyhet Gjykimi i Kelmendit

Dëshmitari i mbrojtur K2 nuk arriti të paraqitej për të dëshmuar në gjykimin e Naser Kelmendit përmes video-linkut.

Arsyeja që K2 nuk mundi të dëshmonte ishte shëndeti jo i mirë i tij.

Besnik Berisha, avokat i Kelmendit, tha se dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet në pyetjet e palëve në gjykim për shkak se kinse është i sëmurë.

Seanca lidhur me këtë rast pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

Naser Kelmendi është duke u gjykuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike që nga viti 2015.

Kelmendi krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Kur iu lexua aktakuza, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë proces gjyqësor.