Gjykimi i Granit Elshanit | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: I Refuzova Paratë e të Afërmve të Elshanëve

Besnik Shabi, vëllai i Besart Shabit, pronarit të Diskotekës “City Club” në Pejë, dëshmoi në gjykimin e Granit Elshanit të akuzuarit për këtë vrasje, tri vrasjeve në tentativë, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje.

Besart Shabi u vra më 2 janar 2010, ndërsa në gjykatë vëllai i tij tregoi se refuzoi një zarf me para që ia ofruan të afërmit e familjes Elshani.

“Pas vdekjes së vëllait shumë të afërm na ofruan ndihmë dhe pas disa muajve një komshi na dhuroi një zarf me para ku tha se ishin para të mbledhura nga disa tezakë të familjes Elshani, para të cilat i kam refuzuar”, tregoi Besnik Shabi, duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit Andrew Hughes se kush u ndihmoi pas vrasjes.

Shabi më tutje tregoi se kishte pranuar edhe një telefonatë nga një person që i ishte prezantuar si pjesëtar i familjes Elshani.

“Po ashtu pas disa kohe kam pranuar një telefonatë nga një person i cili mu prezantua me emrin Demë Elshani. Ai më tha se familja Elshani nuk ka gisht në vrasjen e Besartit” , tha dëshmitari Shabi.

Ai tregoi edhe se si e mori vesh që i vëllai i ishte vrarë.

“Fillimisht më lajmëruan se im vëlla kishte mbetur i plagosur dhe se ishte në spital, menjëherë shkova në spital ku me treguan faktin se Besarti kishte vdekur”, deklaroi Shabi.

Ai konstatoi se vëllai i tij ishte viktimë e rastësishme, pasi deklaroi se familja Shabi nuk kishte konflikt me askënd.

“Kurrë nuk kemi pasë ndonjë problem apo konflikt me askënd- thjesht vëllai ishte viktimë e rastit si shumë të tjerë” , tha Shabi.

Edhe prokurori Andrew Hughes në aktakuzën ndaj Granit Elshanit konstaton se Besart Shabi nuk ishte shënjestër e sulmit, por Valdet Kelmendi, i cili mbeti i plagosur.

Vitin e kaluar KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën ndaj Granit Elshanit, sipas të cilës Elshani shtiu për motive hakmarrjeje ndaj Kelmendit.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelemndi- 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/

Prokurori Hughes e pyeti dëshmitarin Shabi nëse kishte njohuri për konfliktin mes këtyre dy familjeve.

“I gjithë qyteti kemi qenë në dijeni për konfliktin e këtyre dy familjeve“, tha ai.

Granit Elshani u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave me të cilat ngarkohet.