Dëshmitari Qan në Gjykimin e Oliver Ivanoviqit

Në objektin e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës sot është mbajtur seanca e radhës kundër Oliver Ivanoviqit dhe 4 serbëve të tjerë të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 dhe për vrasje në vitin 2000 në Mitrovicë.

Dëshmitari i sotëm Gani Xhaka u pyet nga prokurori Michalczuk se ku ndodhej në natën mes 3 e 4 shkurtit 2000.

Në këtë natë në veri të Mitrovicës u vranë dhjetë shqiptarë, shumë të tjerë u plagosën dhe edhe më shumë u larguan nga shtëpitë.

“Në natën e 3 shkurtit nga ora 21:00 e deri në ora 3:00 të mëngjesit është zhvilluar një luftë e vërtetë në banesën ku kam qenë i strehuar nga serbë të cilët kanë përdorur edhe granata dore. Ka qenë vrasja e gruas sime dhe djalit të familjes Ajeti, Nderimit, si dhe plagosja e shumë të tjerëve,” tha dëshmitari Xhaka.

Prokurori i kërkoi pastaj dëshmitarit që në detaje ta përshkruajë atë që ndodhi atë natë.

“Kanë ardhur disa persona serbë dhe na kanë ofruar të dalim të gjallë, përndryshe do të na vrasin të gjithëve nuk kemi pranuar të dalim dhe e kemi mbyllur derën. Pas pak minutash është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm me ç’rast personat janë futur me forcë brenda dhe kanë filluar të shtënat me armë të ndryshme,” tregoi dëshmitari.

Xhaka bëri me dije se edhe të strehuarit në shtëpi tentuan të mbrohen.

“Edhe ne jemi përgjigjur me armë me qëllim që t’i zmbrapsim, mirëpo shoqja ime ka vdekur, si dhe Nderim Ajeti, ndërsa shumë anëtarë të tjerë kanë mbetur pa gjymtyrë” theksoi dëshmitari Xhaka.

Ai gjatë seancës shpërtheu në lot, kur rikujtoi ngjarjen tragjike.

Oliver Ivanoviqi në këtë proces gjyqësor akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim-vrasje në shkurt të vitit 2000.

Seanca e radhës është caktuar për nesër