Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Nuk kam Biseduar për Fe me të Akuzuarin për Terrorizëm

Në gjykimin e Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit dhe Nuredin Sylejmanit, të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm  dëshminë e tij i ftuar nga prokurori e dha Nuredin Gashi.

Prokurori i EULEX-it  e pyeti dëshmitarin për raportet me të akuzuarin Genc Selimi.

Dëshmitari Gashi tregoi se të akuzuarin Selimi e kishte baxhanak.

Prokurori Drew Angel më tutje e pyeti dëshmitarin nëse Genc Selimi ia kishte përmendur imamët Shefqet Krasniqi, Zeqirja Qazimi, apo xhaminë EL- Kudus.

Dëshmitari mohoi se me Selimin bisedoi ndonjëherë për fenë.

“Ne nuk kemi biseduar asnjëherë lidhur me fenë dhe nuk mi ka përmendur”, ishte përgjigjja e dëshmitarit.

Prokurori Drew Angel më pas e ballafaqoi dëshmitarin me disa fotografi në të cilat shihej i akuzuari Genc Selimi.

Në njërën nga këto fotografi Selimi shihej i armatosur, ndërsa prokurori e pyeti dëshmitarin se çfarë rroba kishte veshur i akuzuari në foton ku shihej me armë.

Pyetjen e prokurorit e kundërshtoi Valon Shala, avokati i Genc Selimit me arsyetimin se nuk kishte aftësi që të identifikojë rrobat apo armët, pasi që nuk ishte një ekspert dhe nuk ishte ftuar si i tillë.

Pyetjet e radhës të prokurorit Angel kishin të bënin me njohuritë kompjuterike të dëshmitarit.

Prokurori i EULEX-it Drew Angel ishte i interesuar të dijë nga dëshmitari se a kishte ai qasje në kompjuterin e të akuzuarit Genc Selimi.

“Unë kam shkathtësi minimale kompjuterike, po disa gjëra  të vogla di”, u përgjigj dëshmitari Gashi.

Angel më pas e pyeti dëshmitarin se pse Genc Selimi kishte shkuar tek ai për të kërkuar ndihmë lidhur me kompjuterin e tij?

“Nuk e di, jam përgjigjur edhe me herët ne këtë pyetje, nuk kam ndërhy në kompjuterin e Gencit, hard-diskun e ka pasë të prishur,  unë vetëm një hard-disk tjetër e kam ngjitur me provua” ,tha Gashi.

Seanca e radhës në këtë gjykim do të mbahet më 4 korrik, ndërsa është planifikuar që të dëgjohen edhe 4 dëshmitarë.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Të akuzuarit kanë mohuar pretendimet e prokurorisë duke u deklaruar të pafajshëm.