Foto: Kallxo.com

Dëshmitari në gjykimin për fabrikën e Podujevës: Faturat nuk ishin ‘të fryra’

Në gjykimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani, dhe të shtatë të akuzuarve tjerë, rreth privatizimit të Fabrikës “FAN” në Podujevë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Esat Rexha.

Rexha u mor në pyetje për kohën kur bëhet fjalë në aktakuzë, pasi i akuzuari Agim Deshishku kishte blerë fabrikën FAN.

Deshishku në këtë proces gjyqësor akuzohet për veprën penale shmangie nga tatimi.

Dëshmitari në sallë të gjykatës deklaroi se në vitin 2009 për kohën kur bëhet fjalë në aktakuzë, ka punuar si menaxher në firmën “Rexha” Sh.P.K.

Ai deklaroi se me ndërmarrjen FAN kanë pasur shumë bashkëpunime.

Në njërën nga kontratat e lidhura, për të cilën prokuroria pretendon se u lidh më 18 maj të vitit 2009, ai tha se kompania “Rexha” ka pasur për detyrë të furnizojë me material dhe të ndërtojë një depo në objektet e FAN- it.

Sipas kontratës, ai tha se kanë pasur që edhe ta ndërtojnë objektin, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kjo pasi që vëllai i të akuzuarit Agim Deshishku, ka dashur ta ndërtojë vet.

“Në fillim ka qenë me ndërtu ne, pastaj i ndjeri Selim Deshishku, që është vëllai i Agimit, ka insistuar që ta ndërtojë vet atë depo meqenëse ka thënë se i kanë punëtorët e vet, kështu që firma jonë e ka siguruar vetëm materialin”, deklaroi dëshmitari Rexha.

“Kontrata nuk është realizuar, por është realizu në atë mënyrë që vetëm materialin e kemi dërguar, ndërsa çështja e punës nuk është bërë nga ana e firmës tonë”, sqaroi më tej dëshmitari.

I pyetur se a është lëshuar ndonjë faturë në emër të realizimit të kësaj kontrate, i njëjti u përgjigj me “po”, duke shtuar se nuk i kujtohet vlera.

Ai u përgjigj pozitivisht edhe në pyetjen e avokatit Deshishku, Granit Vokshi, se depoja të cilën e kanë furnizuar me material ndërmarrjen FAN Sh.P.K. ishte përfunduar.

Pas avokatit Vokshi, në pyetje e mori edhe avokati i Naser Osmanit, Besnik Berisha.

“Kushdo që i ka pasë në dorë ato fatura, a ka pasë ndonjë arsyeje me dyshu që nuk është e saktë ose e ‘fryme’?”, derisa i akuzuari u përgjigj me “jo”, duke theksuar ka qenë e njëjtë me të gjitha faturat e tjera të lëshuara.

Pas këtyre përgjigjeve, në pyetje e rimori përsëri prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu.

“Ju thatë që kontrata ka qenë për furnizim e ndërtim e të tjera, në momentin kur kuptuat që ndërtimi nuk do të ju mundësohet, cila ishte arsyeja që të mbetej në fuqi kjo kontratë dhe të mos ndryshohej në raport me gjendjen faktike që e keni pasë në ndërmarrjen FAN?”, e pyeti prokurorja.

“Unë nuk kam ditë që duhet t’ia ndryshoj këtë kusht kontratës. Ashtu si e kemi nënshkruar, e kemi lënë”, u përgjigj dëshmitari.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të këtij dëshmitari, seanca e radhës u caktua për muajin maj, ku do të dëgjohet një ekspert nga Maqedonia.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.