Gjykimi i Arben Bashotës - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Murat Tërnava më Tha se Është i Kërcënuar

Në gjykimin e Arben Bashotës, Osman Bajramit dhe Sylejman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar si dhe detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, dëshmuan Besnik Krasniqi e Xhevat Podrima.

Dëshmitari Besnik Krasniqi tha se e ka pasur një lokal në Fushë-Kosovë dhe se marrëveshjen për qiranë e këtij lokali e kishte bërë fillimisht me Qefsere Tërnavën dhe se kjo marrëveshje kishte vazhduar deri kur ishin paraqitur pronarët e rinj.

“Në vitin 2017 marrëveshjen e kemi bërë me zonjën Qefsere Tërnava në bashkëbisedim me Murat Tërnavën ka vazhduar qiraja pa asnjë mosmarrëveshje, deri në momentin kur e kemi përmbyll kontratën, me kompani/person tjetër pagesën e kemi bërë te ‘Dardi Com’ është në kontratë personi me të cilin unë kam biseduar në lidhje me këtë qiradhënie është Osman Bajrami”, tha dëshmitari.

Më pas prokurorja i dha në shikim atij një kontratë që mbante datën 26 mars të vitit 2014 e cila ishte e lidhur në mes të Xhavit Bashotës dhe kompanisë “Msora” në Prishtinë dhe kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse ajo ishte kontrata e re që ai e kishte lidhur për qira të lokalit.

Pasi që dëshmitari e mori në shikim tha se kjo ishte kontrata e re që ai e kishte lidhur për qira të lokalit.

Në lidhje me ndërrimin e qiradhënësit dëshmitari Besnik Krasniqi tha se ishte njoftuar përmes një letre të dërguar nga Osman Bajrami.

“Neve na është thënë që prej vitit 2014 nuk është më në pronësi personi i kontraktuar më herët, Qefesere Tërnava, tash jemi ne. Këtë e ka thënë Osman Bajrami. Na është dhënë një letër, na kanë thënë qiradhënësit e mëhershëm janë ilegalë, ne jemi legalë. Në atë letër 5-6 rreshta është shkruar: ju lutemi që tash e mbas pagesën ta bëni tek ne, pronarë jemi ne, të tjerët janë ilegalë”, tha dëshmitari.

Pas pranimit të kësaj letre ai tha se e kishte njoftuar Murat Tërnavën dhe se kishte biseduar edhe me Osman Bajramin.

“Unë Osmanit i kam thënë mua më intereson vetëm me e bë kontratë, me e bë pagesën dhe me e vazhdu kontratën. Unë për këtë rast e kam njoftuar Muratin dhe i kam thënë nuk jam i interesuar me pasë probleme sepse nuk e kam nisë biznesin me pasë probleme”, shtoi dëshmitari.

Kurse pasi që kishte biseduar me Murat Tërnavën, dëshmitari tha se ai i kishte thënë se është i kërcënuar dhe ai e kishte udhëzuar atë ta vazhdonte kontratën me Osmanin sepse nuk ishte i interesuar të ketë probleme më tej.

“Pas bisedës me Muratin më ka thënë jam i kërcënuar, më ka thënë e vazhdojmë kontratën deri sa të mos kem problem. Pastaj pas informatës që mora që është ndërru pronari e kam kontaktuar Muratin edhe Osmanin. Mua më ka thënë Murati vazhdoje kantratën me të se unë nuk jam i interesuar me pasë probleme me ta, se më kanë kërcënuar”, tha dëshmitari t’i ketë thënë Murat Tërnava.

“Pas përmbylljes së kontratës me familjen Murati unë pastaj Bashotës ia kam paguar qiranë nëpërmes llogarisë bankare. Çdo gjë është e evidentuar me pasqyra financiare”, tha në fund dëshmitari.

http://kallxo.com/deshmitari-arben-bashota-e-gjuajti-bomben-ne-lokalin-tim/

Edhe dëshmitari tjetër, Xhevat Podrima, tha se ai bashkë me vëllanë e kishin marrë një lokal me qira me lokacion në Fushë-Kosovë dhe se për këtë lokal kontratën e kishin bërë me Murat Tërnavën deri në momentin kur ishin paraqitur pronarët e tjerë.

Në lidhje me pagesën e qirasë ai tha se sa kishte qenë pronar Murat Tërnava pagesat ishin kryer edhe përmes bankës por edhe me para në dorë.

Pastaj prokurorja i kujtoi dëshmitarit një deklaratë të tij të dhënë në Polici më 11 janar 2016 në të cilën kur është pyetur se kush e ka vizituar më 4 janar 2016 në zyrë ku punonin, ai kishte thënë: “Diku kah ora 11 e ditës kanë ardhur në zyre një person mashkull me dy femra, të cilat nuk i njihja. Personi mashkull nuk është prezantuar për vete fare por ka prezantuar dy femrat duke thënë se janë motra dhe gruaja e Osman Bajramit”, për çka dëshmitari tha: “Po, po më kujtohet kam qenë aty por unë më nuk kam qenë përgjegjës, kam qëlluar rastësisht, pak kam qëndruar çka kam dëgjuar nga punëtoret arsyeja ka qenë për të vazhduar ta paguajnë qiranë siç ka qenë me Muratin kurrgjëë nuk ka ndryshuar”.

Tutje prokurorja i rikujtoi dëshmitarit edhe një pjesë tjetër të po të njëjtës deklaratë në të cilën dëshmitari kishte deklaruar ”Unë e pyeta se ku është Osmani e ato më thanë se ka shkuar në pushim. Unë nuk desha ta zgjasë më shumë, i orientova në zyrën tjetër për të verifikuar a është bërë pagesa për këtë muaj. Pas verifikimit që bënë punëtorët u verifikua se pagesa nuk ishte bërë ende për këtë muaj dhe ai personi i ofroi një faturë të shtypur dhe i tha nënshkruama personi përgjegjës ia nënshkroi dhe personi në fjalë bashkë me ato femra dolën nga zyra”, deklaratë për të cilën dëshmitari tha se është e vërtetë.

Në fund dëshmitari deklaroi se ai është kthyer përsëri në ato lokale pasi që Murat Tërnava e kishte telefonuar dhe i kishte pyetur nëse ishte i interesuar për ta marrë lokalin prapë.

Po ashtu, me kërkesën e avokatit Emrush Kastrati, trupi gjykues ka vendosur që Arben Bashotës t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor tre herë në javë.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Tmerret e Biznesmenit nga Grupi i Ruzhdi Shaqirit

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.