Pamje nga seanca e sotme e rastit "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Mohon t’i Jetë Kërkuar të Transportonte Pacientët e ‘Medicus’-it

Në gjykimin e Lutfi Dërvishit dhe Sokol Hajdinit, në rastin e njohur si “Medicus”, dëshmi sot ka dhënë Emin Sylaj.

Fillimisht dëshmitari e mohoi në tërësi deklaratën e tij të dhënë në Polici.

Dhënien e deklaratës në Polici e cilësoi traumë të rëndë, duke shtuar se një traumë të tillë ka mundur ta përjetonte vetëm edhe gjatë luftës.

“Përveç në luftë, pas luftës kjo është trauma ma e madhe që e kam përjetuar. Për dikë është normale por për dikë që nuk është i provuar me gjëra të tilla është tmerruese”, tha dëshmitari kur u pyet nga prokurorja Valeria Bolici se pse e kishte nënshkruar atë deklaratë meqë po e mohon në tërësi të kenë qenë fjalët e tij ato që janë të shënuara në atë deklaratë.

Për këtë, dëshmitari Sylaj tha se edhe prokurorja do ta kishte nënshkruar nëse do të kishte qenë në një presion të tillë.

“Kemi me të rreh, kemi me të burgos, e ke parasysh katër-pesë policë me revole duke t’u sillë, besoj që edhe ju do ta kishit nënshkruar”, u përgjigj dëshmitari.

Ai nga prokurorja e çështjes kryesisht u pyet në lidhje me transportimin e pretenduar të disa pacientëve të huaj nga Aeroporti në klinikën “Medicus” dhe anasjelltas.

Në lidhje me këtë pretendim të Prokurorisë dëshmitari tha se kishte qenë vetëm një rast ku ai rastësisht afër shtëpisë së tij i kishte takuar disa pacientë të huaj, të cilët i kishin thënë se e kishin telefonuar një taksi për t’i dërguar për në Aeroport por që ai nuk kishte ardhur. Dëshmitari tha se më pas i kishte dërguar deri në Aeroport.

“Unë i kam takuar disa pacientë të cilët kanë qenë duke e pritur taksin, taksi është vonuar, dhe nëse ju kujtohet në atë kohë ka pasur shumë ndërtime të rrugëve. Ata më ndalën, unë desha t’ia bëj një të mirë sepse për shembull kur unë jam kontrolluar te dr. Dervishi nuk më ka marrë para dhe unë kam dashur t’ia bëj një nder atij. E ky është keqinterpretimi apo ata e kanë marrë ashtu si ju ka konvenuar”, deklaroi dëshmitari Sylaj.

Dëshmitari tha se ndonëse në atë kohe kishte pasur veturë, ai asnjëherë nuk kishte marrë apo dërguar ndonjë pacient të huaj apo doktor nga Aeroporti i Prishtinës.

“A të është kërkuar ndonjëherë nga Lutfi Dervishi apo Arban Dervishi për të shkuar dhe për të marrë ndonjë pacient të huaj nga Aeroporti?”, e pyeti dëshmitarin prokurorja Bolici.

Por dëshmitari tha se ai nuk është shofer dhe se asnjëherë nuk i ishte kërkuar një gjë e tillë atij.

“Jo, unë nuk kam qenë as nuk jam me profesion shofer. E them me sigurinë me të madhe jo asnjëherë nuk më është kërkuar”, u përgjigj ai.

Në lidhje me deklaratën e tij të dhënë në Polici dëshmitari e pranoi se nënshkrimi është i tij por tha se e ka nënshkruar deklaratën edhe pa e lexuar sepse ka qenë shumë i shqetësuar e i stresuar, sepse ka qenë hera e parë në jetën e tij që ka qenë në Polici dhe kishte qenë tmerruese.

Ani pse prokurorja nuk hiqte dorë dhe kohë pas kohe e ballafaqonte dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë në Polici, ku sipas asaj deklarate i njëjti kishte deklaruar se kishte pasur disa raste kur i kishte bartur disa pacientë të huaj dhe një mjek turk nga Aeroporti i Prishtinës, dëshmitari e mohoi në tërësi këtë deklaratë.

Madje ai para trupit gjykues tha se po ndjehet shumë keq që prokurorja po ia kujton edhe njëherë tmerrin që e ka përjetuar atëherë.

“Shumë keq që po ma kujtoni atë gjendje, s’kam nevojë për një tmerr të dytë”, tha dëshmitari Sylaj.

http://kallxo.com/deshmitari-bllokohet-ne-aeroport-vellai-e-zevendeson-ne-gjykate/

Seanca në rastin e klinikës “Medicus” do të vazhdojë gjatë tërë ditës ku si dëshmitar të radhës pritet të dëgjohen edhe rreshterët e Policisë Xhavit Plakolli e Nexhmi Qyqalla.

Lutfi Dervishi, që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.