Dëshmitari: Leonis Frangu Luftonte Kundër Kurdëve e Assadit

Leonis Frangu, i akuzuari për pjesëmarrje në organizata terroriste, u deklarua i pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

NDËRLIDHUR

Më pas, u vazhdua me fjalën hyrëse ku prokurori Faik Halili tha se në epilog të procesit gjyqësor do të vërtetohet se i njëjti ka marrë pjesë në organizata terroriste, derisa avokatja e Frangut, Florije Drevinja, tha se është për keqardhje se si një person akuzohet për një vepër kaq të rëndë penale pa asnjë provë materiale.

Pas fjalës hyrëse, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, zëri i të cilit u dëgjua në sallë vetëm përmes pajisjeve teknike.

Ky dëshmitar tha se e ka parë dhe takuar Leonis Frangun në Siri.

“Leonis Frangun në Siri në qytetin e Azazit e kam njohur me pseudonim ‘Ubejda’, edhe ky e di vetë pseudonimin qysh e ka pasë. Ky pseudonimin e ka pasur ‘Ubejda’ në Siri”, tha dëshmitari.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, për veprimtarinë e Leonis Frangut në Siri, dëshmitari tha se Leonisi ka qëndruar në një kodër në qytetin e Azazit ku zhvillohej lufta, në cilësinë e rojës.

“Ky u kon me një Kodër në qytetin e Azazit, ku vetë Leonisi ka nejtë aty. Po, ka pasë kundërshtarë. Kurdistanët të ushtrisë së Assad- it”, tha dëshmitari duke treguar se grupi ku ka qenë Frangu, ka luftuar kundër kurdistanëve dhe ushtrisë së Assad-it”, tha dëshmitari.

Në fund të seancës, avokatja Florije Drevinja, kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturin e saj ta lirojë nga paraburgimi.

Kjo masë i ishte caktuar për shkak të mospërgjigjes së ftesës, ndonëse vetë Leonis Frangu pretendoi se ka qenë keqkuptim.

“Djalë i ri, nuk i di rregullat e gjykatës, që tri vjet kish mujtë me ikë e me ikë. Mbas 3 vjete tash me shti në paraburg”, tha Drevinja.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe kundër tij u caktua masa paraqitje në stacion policor dy herë në javë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

10 Shkurt 2018 - 21:00

Arita Gërxhaliu 10/02/2018 - 21:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight