Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i Kishte Thënë ‘Ruaju’ të Akuzuarit për Vrasje

Dy shokët e Meriton Aliut, të akuzuarit për vrasjen Samir Rexhës vitin e kaluar në Ferizaj, dëshmuan për ditët para këtij krimi dhe ditën kur ai ndodhi.

F. Sh., njëri nga dëshmitarët, tha se ishte takuar me Samir Rexhën, tri-katër ditë para se Rexha të vritej, ndërsa tregoi se tash i ndjeri atëherë po e kërkonte Meriton Aliun.

Sipas dëshmitarit, Rexha gjatë kërkimit të Aliut shoqërohej nga djali i xhaxhait.

Dëshmitari më tutje tregoi se pas takimit me Rexhën e kishte thirrur në telefon Meriton Aliun për t’ia tërhequr vërejtjen që të ruhej.

“Unë me Meritonin nuk jam taku, veç n’telefon e kom thirrë, e kam vetë pse po të lypë Samiri, edhe i kam thanë ruju se ish tu të lyp, e mos u sill fort knej ka mahalla”, tha dëshmitari, duke treguar se Meriton Aliun e njihte që tetë vjet, ndërsa Samir Rexhën vetëm sipërfaqësisht.

Dëshmitari nuk diti t’i tregojë prokurorit se në cilën ditë saktësisht ndodhi vrasja e Samir Rexhës, por tha se bëhej fjalë për verën e vitit 2016.

Dëshmitari tjetër V. R. tregoi në gjykatë se pak para vrasjes së Samir Rexhës derisa me një shok të tijin po dilte në qytetin e Ferizajt, u takua me Meriton Aliun, por edhe me vetë Rexhën.

“U drejtum kah qyteti për me pi kafe, rrugës e pamë Meritonin ulur jashtë me ni lokal, e u nalëm me i fole”, tha dëshmitari.

Ai rrëfeu se aty pastaj erdhi edhe Samir Rexha.

“Samiri kur ka ardhë na ka folë krejtve, e mu m’ka folë për dore,  tani me Meritonin janë çu kan shku kah parku në Rrugën ‘Rexhep Bislimi’. Aty kanë qëndru afro 5-6 minuta duke biseduar e më pas duke u kthyer në drejtim tonin kanë ndryshuar drejtim duke u futur në një hyrje të banesës“, shpjegoi dëshmitari.

Dëshmitari bëri të ditur se pas pak kohësh i kishte dëgjuar të shtënat, ndërsa ishte larguar nga aty, duke mos e ditur se çfarë kishte ndodhur.

Rrëfim të ngjashëm për vrasjen e Rexhës tregoi edhe djali i axhës së tij në seancën e kaluar.

Në atë seancë nëna e Samir Rexhës për shkak të gjendjes së rënduar emocionale dhe shëndetësore nuk mundi të dëshmojë, ndërsa sot me propozim të prokurorit Arben Ismajli u lexua deklarata e saj.

http://kallxo.com/nena-e-te-riut-te-vrare-nuk-mundi-te-deshmoje/

Sipas aktakuzës, Meriton Aliu më 18 gusht 2016 rreth orës 18:00 në hyrje të banesës kolektive në Rrugën “Rexhep Bisimi“ në Ferizaj me dashje privoi nga jeta Samir Rexhepin duke shtënë në drejtim të tij me revole.

Aliu në seancën fillestare në qershor u deklarua i pafajshëm për vrasjen e Rexhës, ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

http://kallxo.com/ndihet-pafajshem-per-vrasjen-qe-rrodhi-nga-nje-mosmarreveshje-e-mehershme/

Për vrasjen e Samir Rexhepit KALLXO.com kishte shkruar edhe vitin e kaluar.

http://kallxo.com/vritet-20-vjecari-ne-ferizaj/

Gjykimi i Aliut do të vazhdojë më 28 shtator.