Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Më Kërcënuan se do të ma Vrasin Djalin

Në gjykimin e Arben Bashotës dhe Osman e Sylejman Bajramit për krim të organizuar, i dëmtuari Murat Tërnava u tha familjarëve të të akuzuarve se pasurinë e kanë nga haraçi.

“Nëse ka familjarë të tyre dua të ju them që fëmijët e juaj, martesat e juaja i keni kryer me paret e haraçit, me paret e djersës së familjes sime. Unë i besoj shumë sistemit gjyqësor, prokurorial dhe Policisë së Kosovës më në fund”, tha Tërnava.

Dëshmitari dhe i dëmtuari më tutje tregoi se Ruzhdi Shaqiri, i vrarë në gusht të vitit 2014 dhe grupi i tij- të akuzuarit e këtij procesi e kërcënuan se do t’ia vrasin djalin dhe do tia marrën shtëpinë nëse nuk ua lëshon objektet.

Objektet Tërnava sipas dëshmisë së tij i kishte ndërtuar në një pronë në Fushë-Kosovë prej 10,12.53 hektarësh, pas marrëveshjes që kishte bërë me pronarin e saj, duke investuar 1 milion e 30 mijë euro.

Dëshmitari Tërnava tha se grupi i Ruzhdi Shaqirit i kishte kërkuar ta lirojë tokën, ndërsa tregoi se këtij grupi i kishte thënë se do ta lëshonte pronën nëse i paguheshin investimet në objekte që kishte bërë aty.

Tërnava shpjegoi në gjykatë se pas kësaj mori mesazhe të këqija nga grupi i të akuzuarve.

“Aty kanë dërguar mesazhe shumë të këqija, në fillim i kanë thënë se nëse don Murati me nejt aty me i shfrytëzu objektet (e mija) duhet me i pagu 17 mijë euro në muaj, në emër të qirasë, përndryshe nëse nuk i paguan ka me prit sene të këqija prej neve, kena me ja vra djalin, kena me vra ato vetë dhe kena me ia marrë shtëpinë. Këtu fillon ankthi i familjes time nga këta njerëz që i kam mbrapa këtu”, tha dëshmitari dhe i dëmtuari Tërnava.

Ai bëri të ditur se kërcënimet nga grupi e kishin bllokuar familjen e tij.

“Unë dhe familja ime kemi qenë totalisht të bllokuar, nuk kemi dalë, biznesi ka qenë i mbyllur, përkundër rastit që e kemi paraqitur në prokurori dhe prokurori i EULEX-it dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë, këtu edhe u dorëzuam”, tha Tërnava.

I dëmtuari deklaroi se grupi i merrte në muaj nga familja e tij më shumë se 9 mijë euro, ndërsa sipas tij të akuzuarit kishin lëshuar me qira prej 3 mijë eurove në muaj edhe një objekt të të dëmtuarit.

“Kanë qenë shumë të kënaqur në kuptimin e të hollave në vlerë prej 9350 euro në muaj nga familja jonë”, tha dëshmitari, duke treguar se çdo takim i tij me ta ka qenë i tensionuar, pasi të akuzuarit  mbanin hapur një çantë ku shihej një revole.

Tërnava tregoi se para grupit të të akuzuarve për krim të organizuar kishte insistuar që t’i marrë investimet e veta dhe të largohej përgjithmonë nga ajo pronë, por pastaj kishte bërë marrëveshje që ai të merrte 30 për qind të qirasë së objekteve të tij.

I dëmtuari tha se një marrëveshje e tillë nuk u zbatua kurrë, ndërsa deklaroi se të akuzuarit i shkuan në shtëpi duke i kërkuar edhe 10 mijë euro nëse ai dëshironte të largohej nga prona.

Sipas Tërnavës i akuzuari Arben Bashota i kishte thënë se nëse nuk i jepte këto para, të mos llaogarise se kishte djalë.

“Të nesërmen i kam huazuar 7000 euro, ndërsa 3000 euro nuk kemi mundur me i gjetë. Pas kësaj kanë filluar rregullisht me ardhë para depos, me mi shajtë punëtorët”, tregoi Tërnava.

Dëshmitari tha se në një takim me të akuzuarit i kërkuan që të lëshonte depot.

“Unë kam kërkuar që automatikisht të dalin prej depos, posaçërisht Arbeni, duke i thënë boll keni bërë dhe të lutem lena rehat. Arbeni më ka thënë se na jemi marrë vesh bashkë me Ruzhdiun, Osmanin dhe Sylejmanin se ju duhet me dalë nga depo dhe nëse nuk dilni atëherë mos llogarit që ke familje, llogarite që edhe shpinë kena me ta marrë”, deklaroi Tërnava.

Ai bëri të ditur se mallin në vlerë prej 300 mijë eurove e kishte larguar pastaj nga depot duke e dërguar në fshat dhe në vende tjera, ndërsa tha se gjysma e tij i ishte prishur.

Në vitin 2014 Tërnava tha se Policia e Krimeve Ekonomike filloi të interesohej për rastin e tij, ndërsa deklaroi se kjo i dha shpresë.

Megjithatë, telashet nuk i përfunduan.

“Pastaj kemi pasur telashe vazhdimisht dhe policia na ka dhënë udhëzimet se çfarë të ndërmarrim nëse ndodhë ndonjë gjë. Ata vazhdimisht e kanë përcjellë djalin tim, duke ia bllokuar veturën”, tha Tërnava.

Në fund ai tregoi se edhe pas arrestimit të të akuzuarve, objektet në të cilat investoi po shfrytëzohen nga familjarë të tyre.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”..

KALLXO.com ka shkruar edh më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/i-demtuari-keshtu-u-falsifikuan-dokumentet-e-prones/

http://kallxo.com/deklarim-pafajesie-ne-gjykimin-per-pronen/

http://kallxo.com/sherri-i-madh-i-prones-10-hektareshe/