Dragan Vasiljkoviç, i njohur ndryshe si Kapiten Dragani, në gjykatë në Split. Foto: BETAPHOTO/HINA/Mario STRMOTIC/MO.

Dëshmitari: Kapiten Dragani Shikonte Serbët Teksa Rrihnin të Burgosurit

Dëshmitari Tomislav Ceranja tha në gjykatën në Split të mërkurën se ai ishte një rob lufte në një burg në kalanë në qytetin jugor kroat të Kninit në verën e vitit 1991, kur ai pa të pandehurin Dragan Vasilkoviq të shikonte ndërsa të ndaluarit rriheshin.

“Unë u arrestova në fillim të korrikut dhe u dërgova në Benkovac (një qytet jugor kroat nën kontrollin e rebelëve serbë), ku ata “më rrahën” gjithë natën. Numërova që mora 780 goditje dhe se numërimi më ndihmoi psikologjikisht të kaloja natën,” dëshmoi Ceranja, një kroat 66-vjeçar.

“Më pas u çova në kalanë e Kninit, ku ata më goditën me çizmet e tyre në restorant. Pashë kapiten Draganin te dera. Ai nuk më goditi, por ai e pa atë që po bënin ata,” shtoi ai.

Vasilkoviq, i njohur gjerësisht si Kapiten Dragani, akuzohet për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës gjatë kohës që ishte komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë e dërguar të ndihmonte paraushtarakët serbë në Kroaci gjatë rebelimit të tyre të armatosur midis viteve 1991 dhe 1995.

Vasilkoviq e sfidoi dëshmitarin Ceranja në sallën e gjyqit, duke thënë se dëshmia e tij në lidhje me atë që i ndodhi të burgosurve në Knin ishte e pasaktë.

“Mendon se është gjest patriotizmi të gënjesh në gjykatë kundër një serbi?” pyeti Vasilkoviq.

Marko Miliq, një ish-polic 50-vjeçar, ndërkohë tha në gjykatë se ai u kap në qershor 1992 dhe u dërgua në kalanë e Kninit, ku ai ra 15 kg nga pesha për shkak të kushteve të këqija në të cilat ai mbahej.

“Çdo ditë ngacmoheshim dhe poshtëroheshim. Në kala, pashë kapitetin Dragan, dhe e di që ai kishte autoritet tek rojat tona. Ai nuk më rrahu personalisht. Madje, në një rast më dha një cigare, një Marlboro të kuqe, e mbaj mend. Epo, tani do të doja ta falënderoja për këtë,” tha Milic.

Vasilkoviq akuzohet për torturimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e ushtarëve dhe policëve të burgosur kroatë në qershor dhe korrik të vitit 1991 në kalanë në Knin, dhe në shkurt 1993 në Bruska.

Ai akuzohet gjithashtu për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit në fshatra, si edhe në një rajon policie në Glina – sulme në të cila u vranë dy persona.

Sipas aktakuzës, ai ishte komandant i qendrës së trajnimit për një njësi speciale paraushtarake të quajtur Alfa.

Vasilkoviq e deklaroi veten të pafajshëm në seancën e parë në shtator.

Ai u ekstradua në Kroaci nga Australia në korrik të vitit 2015, ku ai kishte jetuar për vite me radhë me emrin Daniel Snedden dhe punon si instruktor golfi.

Gjyqi vazhdon të enjten.