Dëshmitari: Janë Përmendur Para që Basri Muja i Kërkonte Borxh

Në seancën kundër ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, shumë gjëra nuk iu kujtuan Veton Sahitit, ish-zyrtarit administrativ dhe më pas sekretarit të Kolegjit ISPE që u paraqit si dëshmitar.

Sahiti në fillim u pyet nëse kishte qenë i përfshirë në procesin e akreditimit të këtij kolegji.

“Të gjithë në një formë kemi qenë të angazhuar edhe rreth procesit të akreditimit”, tha dëshmitari, duke treguar se si zyrtar administrativ duhej të kompletonte dosjet e stafit akademik.

Kur u pyet se a kishte probleme kolegji ISPE për t’u akredituar, dëshmitari përmendi probleme gjatë çdo viti të akreditimit, por tha se ato nuk ishin të mëdha.

Por prokurori duke e ballafaquar dëshmitarin me një deklaratë të dhënë në polici në nëntor të vitit 2014, të cilën ia dha për ta shikuar, ia kujtoi Veton Sahitit deklaratën e atëhershme.

Sipas prokurorit, atëherë Sahiti kishte thënë në polici se nga Avni Mazreku ishte vënë në dijeni se Basri Muja kishte kërkuar para për akreditimin e programeve.

Kur jeni pyetur në polici se a jeni vënë në dijeni nga Avni Mazreku se për procesin e akreditimit është duke u kërkuar vazhdimisht ryshfet nga drejtori i AKA-s, ju jeni përgjigjur: Po, Avni Mazreku më ka treguar se Basri Muja vazhdimisht po i kërkon ryshfet. Cila është e vërteta?, pyeti prokurori.

“E di që i ka përmendur disa shuma të cilat janë bërë publike më vonë, por shumën e saktë sot nuk e di, por të cilën është thënë se janë kërkuar si borxh nga Basri Muja”, tha dëshmitari Sahiti.

Avni Mazreku është drejtor i Kolegjit ISPE, ndërsa edhe ai dëshmoi në këtë proces.

http://kallxo.com/avni-mazreku-basri-muja-kerkoi-tia-punesoj-gruan-ne-kolegj/

Dëshmitari në deklaratën në polici kishte thënë se i kishte shënuar në një sistem financiar shumat e të hollave që në tri raste Mazreku ia kishte dhënë Basri Mujës.

Prokurori, duke u bazuar në deklaratën e dëshmitarit, përmendi edhe shumat e parave- një herë pesë mijë euro, herën e dytë gjashtë mijë euro, kurse herën e tretë nëntë mijë e 400 euro në formë huazimi.

Por dëshmitari tha sot se shumat që i përmendi prokurori, i kishte shënuar në një fletore.

Megjithatë, dëshmitari pranoi deklaratat e tij të mëparshme.

“Unë prapë deklaroj se qëndroj prapa deklaratave që i kam dhënë më herët”, tha Veton Sahiti, duke bërë me dije se nuk e di nëse Mazreku këto të holla ia ka dhënë Basri Mujës.

Dëshmitari tha se dhënien e të hollave nuk e kishte parë me sytë e tij.

Seanca u ndërpre, ngase një anëtar i trupit gjykues e kishte një seancë me paraburgim.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 16 nëntor me ç ‘rast pos dëshmitarit Sahiti, dëshminë e tyre pritet ta japin dëshmitarët Fortuna Mehmeti, Agon Demjaha, Ridvan Obërtinca si dhe Ramadan Idrizaj.