Gjykimi i Remzi Shalës për krime lufte | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Fshati ia Ktheu me Plumba Bukën Haxhi Përteshit

Haki Përteshi në gjykimin e Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullsisë civile, tha se Haxhi Përteshi ishte shumë njeri humanitar.

“I ka ndihmu çdokujt, ka qenë njeri që miellin prej maxheje e ka hjek për tjetrin, por në fund buka e tij e vrau, sepse fshati ia ktheu me të keq bukën ia ktheu me plumba”, tha Haki Përteshi.

Në këtë proces gjyqësor Remzi Shala akuzohet nga prokuroria se i armatosur dhe me uniformë të UÇK-së bashkë me pëesë- gjashtë persona tjerë mori nga shtëpia e tij Haxhi Përteshin dhe ai më pas u gjet i vdekur.

Haki Përteshi më tutje deklaroi se Haxhi Përteshi asnjëherë me askënd në fshat nuk ka pasur raporte të këqija, madje tha se asnjëherë as nuk ka pasur sharje e fyerje me dikë.

Haki Përteshi pastaj rrëfeu se i pari e gjeti kufomën e Haxhi Përteshit dhe e barti deri te shtëpia e tij.

Hakiu, tha se Haxhiun e kishin marrë në orët pas darkës dhe se nuk e dinte nga kush ishte marrë.

Dëshmitari tha se ka dëgjuar nga roja e fshatit e asaj nate që personat të cilët kishin ardhur për ta marrë Hxhiun kanë biseduar në gjuhën shqipe, ndërsa bëri të ditur se nuk e dinte se kush dhe çka kanë qenë.

Haki Përteshi në dëshminë e tij i quajti banditë “ushtarët” e UÇK-së. Tha se vetëm një pjesë kanë qenë të mirë, por ata sipas tij kanë vdekur, ndërsa pjesa tjetër tha se kanë pasur interesa të caktuara të cilat po i vuajmë edhe sot.

Dëshmitari tregoi se kishte ndihmuar luftën e UÇK-së me prerje drunjsh dhe hapje istikamesh dhe atëherë e kishte parë edhe të akuzuarin Remzi Shala.

Haki Përteshi në fund tha se kjo është dita e tij më e lumtur pasi dëshmoi të vërtetën.

Dëshmitari shkaktoi reagim të trupit gjykues dhe prokurorit kur tha se është duke i përgatitur dy fëmijë të tij nga katër sa i ka që ta lëshojnë Kosovën.

“Kam kërkuar nga fëmijët e mi që ta mësyjnë Europën e lulëzuar për shkak të perspektivës dhe sigurisë”, tha Përteshi.

Pastaj dëshmoi Sejdi Përteshi, vëllai i Haxhi Përteshit që iu ankua trupit gjykues për thirrjen si dëshmitar pasi tha se i është dashur të ndërpresë pushimet te djemtë që i ka jashtë vendit pë të ardhur në gjykatë.

Në dëshminë e tij, Sejdi Përteshi, tha se nuk e kishte ditur dhe nuk kishte ndëgjuar asgjë kur kanë ardhur dhe e kanë marrë Haxhiun.

Lajmin e vdekjes së vëllaut tha se e kishte marrë nga fqinji Haki Përteshi, i cili kishte dëgjuar se është një kufomë në fshatin Duhël.

“Në atë moment e kam marrë veturën time dhe me Hakiun kemi shkuar te vendi ku e kemi gjetë trupin e Haxhiut në një llagam përskaj rrugës. Asnjë vrimë në fytyrë dhe duar nuk e ka pasur, vetëm disa shenja në nyjet e duarve që dukej se kishte qenë i lidhur”, tha dëshmitari.

Ai tregoi se kufoma kishte filluar të prishej dhe nuk kishin mundur ta marrin me makinë, por më vonë kishin shkuar dhe e kishin marrë me traktor.

“E kemi varrosë me 7- 8 persona në orët e mbrëmjes ngase forcat serbe i kishim në afërsi prej 900 metrash”, tha Haxhi Përteshi.

Gjatë dëshmisë së Sejdi Përteshit, reagoi i biri i Haxhi Përteshit, Zeneli duke thënë se xhaxhai i tij nuk po e tregonte ngjarjen ashtu siç kishte ndodhur.

“Fol mixhë, mos u frikëso, mos është gatu këtu naj pite mes juve dhe avokatit të akuzuarit”, ishin fjalët e të dëmtuarit të cilat me kërkesën e avokatit Natal Bullakaj, u konstatuan edhe në procesverbal.

Avokati Bullakaj tha se nuk lejon shpifje të tilla dhe se do të merret me këto shpifje. Edhe vet dëshmitari Sejdi Përteshi, tha se asnjëherë nuk është takuar me avokatin Bullakaj për këtë punë dhe as që kishte biseduar ndonjëherë për këtë rast.

Dëshmitari Sejdi Përteshi më tutje tha se nuk di se kush saktësisht e ka vrarë vëllain e tij, mirëpo  tha se e din që “ Ushtria (UÇK) e ka marrë të gjallë dhe e ka kthyer të vdekur”.

Seanca gjyqësore u ndërpre, për të vazhduar me të njëjtin dëshmitar  më datën 22 nëntor 2017.

Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Aktakuza ndaj Remzi Shalës të njohur me nofkën “Molla e Kuqe” u ngrit pas denoncimit të tij nga Agron Përteshi, djali i Haxhi Përteshit.