Dëshmitari i Fajdeve: S’dua Kompensim, se po Lindin Probleme

Por, në seancë, dëshmitarët thanë se nuk e ndjejnë veten të dëmtuar dhe se nuk dëshirojnë të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike, me arsyetimin se po lindin probleme.

“Ki të drejtë me u deklaru nëse don kompensim prej Arsimit. A don me parashtru kërkesë që ti me u kompensu? A dëshiron me parashtru kërkesë pasurore-juridike? A ndjehesh i dëmtuar?”, pyeti kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.

“Unë ndihna por unë du çdo send me u marr vesh, me u barazu me Arsimin. Nuk du se tani po lindin probleme. Po du me u marrë vesh vet me Arsimin, sikur gjithë”, tha dëshmitari Bekim Peqani.

Pas kësaj deklarate, dëshmitarin Bekim Peqani prokurorja Javorka Perlinçeviq e pyeti se a ndihej i kërcënuar nga i akuzuari apo cila është arsyeja pse nuk do të kërkojë kompensim.

“Bekim na thoni konkretisht çfarë probleme? A po tuteni që dikush do t’ju kërcënojë apo çfarë probleme?”, pyeti prokurorja.

Pasi dëshmitari tha se “normal, si në Prizren që e kanë plagu njerin”, prokurorja i tha që Gjykatës nuk i interesojnë dëshmitarët dhe rastet e tjera, duke e pyetur sërish:  a po frikësoheni se Arsimi do t’ju bëjë problem?”.

“Gjithkah më shkon mendja mu”, u përgjigj Bekim Peqani.

Edhe dëshmitarët Ergin Alija e Mendim Puqolli dhanë dëshminë e tyre rreth këtij rasti.

Ata thanë se për shkak të disa problemeve që kishin pasur, disa herë ishin detyruar që të merrnin para borxh nga Arsimi, por kur u pyetën nga kryetarja e trupit gjykues se a ndjeheshin të dëmtuar, dëshmitarët deklaruan se nuk duan të paraqesin kërkesë për kompensim pasuror-juridik pasi që sipas tyre ata nuk e ndjejnë vetën të dëmtuar nga Arsimi, përkundrazi ata deklaruan se kanë borxhe ndaj tij.

Edhe dëshmitarët e seancës së kaluar, vëllezërit Naim e Lulzim Peqani, thanë se nuk ndihen të dëmtuar.

http://kallxo.com/ne-gjyqin-per-fajde-deshmitaret-nuk-ndihen-te-demtuar/

Ndërsa, dëshmitari Arben Xhibegjiu ka thënë se nga i akuzuari Arsim Limani kishte marrë borxh shumën prej 10 mijë euro dhe se me të kishte nënshkruar një marrëveshje që në vitin 2020 atij t’ia kthente 40 mijë euro.

http://kallxo.com/deshmitari-per-10-mije-euro-duhej-ti-ktheja-40-mije/

Sipas aktakuzës, Arsim Limani akuzohet për fajde si dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.