Rasti Medicus, 15 dhjetor 2017. Foto: Kallxo.com

Dëshmitari Bllokohet në Aeroport, i Vëllai e ‘Zëvendëson’ në Gjykatë

Mosardhja e dëshmitarit Emin Sylaj në gjykatë ka bërë që seanca e planifikuar që të mbahej në gjykimin për rastin “Medicus” të caktohet për një datë tjetër.

Në ditën e sotme kishte qenë e planifikuar që të dëgjohej dëshmitari Emin Sylaj si dhe dy zyrtarët e policisë, Xhavit Plakolli e Nexhmi Qyqalla.

Në vend të Emin Sylajt, që jeton jashtë Kosovës, në gjykatore u paraqit vëllai i tij, Egzoni. Ai u arsyetua se Emin Sylajt i është anuluar fluturimi për në Kosovë për shkak të kushteve atmosferike dhe se për momentin ai gjendet në Zagreb, në pamundësi për t’u paraqitur në gjykatë.

Është hera e dytë që Egzon Syla e “zëvendëson” vëllain e tij në sallë të gjykatës, për t’ia lajmëruar mungesën.

Në mungesë të këtij dëshmitari, prokurorja e çështjes Valeria Bolici kërkoi nga trupi gjykues që kjo seancë të shtyhej për një datë tjetër pasi që ajo planifikonte t’i ballafaqojë këta dëshmitar me dëshmitë e njëri- tjetrit.

Për këtë arsye, ajo kërkoi që tre dëshmitarët të merren në pyetje në të njëjtën ditë.

Kjo kërkesë e prokurores u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Franceska Fischer e cila e caktoi 19 dhjetorin si datë për mbajtjen e seancës gjatë të cilës do të dëgjohen dëshmitarët Emin Sylaj, dy zyrtarët e policisë Xhavit Plakolli e Nexhmi Qyqalla si dhe dëshmitari tjetër Zhivko Zhivkov, ndërsa një ditë më pas pritet të dëshmojë dëshmitari tjetër Driton Jilta i cili ka qenë i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit si dhe për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor në këtë rast.

Ai ishte akuzuar edhe për trafikim me njerëz dhe krim të organizuar por këto akuza më pas i ishin hequr në aktakuzën e ndryshuar nga prokurori Jonathan Ratel.

Pas ndryshimit të aktakuzës, Jilta, një mjek që kishte punuar edhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, e pranoi fajësinë për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit dhe për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Ndërsa pas kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme kishte prishur vendimet e dy gjykatave dhe rasti ishte kthyer në rigjykim.

http://kallxo.com/nis-perseri-gjykimi-lutfi-dervishit-ne-rastin-medicus/