Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari 2 në Seancën ndaj Azem Sylës

Dëshmitari i mbrojtur 2 është duke dhënë dëshminë e tij në seancën e sotme të mundësisë së veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve.

Sipas Tomë Gashit, avokatit të Azem Sylës, ish-deputeti i PDK-së u riarrestua më 16 shtator nën pretendimin e prokurorisë se në mënyrë të tërthortë tentoi të ndikojë pikërisht në dëshmitarin e mbrojtur 2.

Gashi tha dje për KALLXO.com se Syla nuk ka pse të qëndrojë në paraburgim, pasi ky dëshmitar i mbrojtur të përfundojë dëshminë.

Gjykata e Apelit më 23 shtator rrëzoi vendimin e 17 shtatorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Sylës iu caktua paraqitja në stacionin policor.

Gjykata e Apelit para pesë ditësh e riktheu Sylën në paraburgim, pasi ndaj vendimit të themelores u ankua gjyqtari i EULEX-it Danilo Ceccarelli.

Azem Syla që nga dorëzimi në polici më 29 prill qëndroi pandërprerë në paraburgim deri më 25 shtator, kur u lirua nga kjo masë.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it më 27 prill zhvilloi një aksion të zgjeruar gjatë të cilit arrestoi Nuhi Ukën, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Sabedin Haxhiun, Avni Maxhunin, Hajrullah Berishën, Ilaz Sylën e Lubisha Vujoviqin.

Atë ditë Azem Syla u kërkua në shtëpi por nuk u gjet, ndërsa u vetëdorëzua në polici dy ditë më vonë.

Shkrimet për Azem Sylën që nga arrestimi mund t’i lexoni këtu.