Dëshmitarët Ndërrojnë Deklaratat në Gjyqin për Fajde

Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Prizrenit disa prej dëshmitarëve dhanë dëshmi të tjera nga ato që kishin dhënë në Polici.

Pasi u ballafaqua nga prokurorja speciale Merita Binaj-Rugova me deklaratën e dhënë në Polici, ku kishte deklaruar se i kishte marrë 45 mijë euro nga Tunë Kqira për t’ia kthyer brenda dy jave 50 mijë, dëshmitari Fadil Gashi mohoi në Gjykatë dëshminë e tij të dhënë në Polici. Ai tha se nuk ka marrë asnjëherë para me kamatë nga i akuzuari.

Dëshmitari Gashi tha se të hollat nga Tuna i kishte marrë për shkak të shitjes së banesës në vlerën prej 50 mijë euro, të holla të cilat i ishin dashur për shërimin e njërit nga familjarët e tij.

Ndërsa dëshmitari Viktor Gojani dëshmoi për takimin që kishin pasur Zef Gruda dhe Marian Kqira. Ai tregoi se ishin takuar së bashku në një lokal, ku Zefi i kishte nxjerrë disa letra të cilat tha se as që i kishin shikuar.

Sipas dëshmitarit, Zefi i kishte treguar Marian Kqirës së djali i tij Kastriot Kqira po i kërkonte djalit të tij, Palit, një shumë mbi 300 mijë euro. Dëshmitari Gojani tha se për këtë Mariani e kishte kritikuar Zefin se pse nuk i ka reaguar më herët ngase bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha parash.

Në fund të dëshmisë së tij, prokurorja speciale i dorëzoi Gjykatës një CD nga ky takim, në të cilin kishte marrë pjesë edhe dëshmitari Gojani.

Në këtë seancë dëshminë e dha edhe Blerim Qono. Dëshmitari tha se një ditë kishte pasur nevojë për para dhe Gjekson Kqira ato para ia kishte gjetur te miku i tij Ernesti.

300 eurot e huazuara nga Ernesti, dëshmitari Qono tha se duhej t’i kthente brenda tri jave, mirëpo që në ndërkohë i ishte lajmëruar Gjeksoni dhe kishte kërkuar që të hollat t’I ktheheshin atij.

Prokurorja e ballafaqoi këtë dëshmitar me SMS-të që i kishte marrë nga Gjekson Kqira, në të cilat thuhej se sado që ai të vonohej ditët veç po ecnin.

Mirëpo, dëshmitari tha se nuk ka dhënë para më shumë sesa që ka marrë.

“Unë mas 3-4 ditësh i bëra paratë dhe ia dërgova në kafiterinë “Credo”, ku edhe ia pata marrë Ernestit dhe më nuk kam pasë asnjë telefonatë nga askush. 300 i kam marrë 300 i kam kthy”, tha ai.

Dëshmi në gjykatë të martën dha edhe dëshmitari Xhevdet Kabashi, i cili deklaroi se ia kishte shitur një veturë “Mercedes” në vlerë prej 43 mijë euro Burim Shalës, mirëpo që atë e kishte kaluar në emër të Kastriot Kqirës. Ai u deklarua se nuk dinte asgjë, se të hollat i kishte marrë nga Burimi.

Ndërsa dëshmitari Burim Shala, i cili merret me shitblerje veturash, dëshmoi në Gjykatë se i kishte shitur tri vetura të dëmtuarit Pal Gruda.

“Mercedesin” në vlerë prej 43 mijë euro, të cilin e kishte blerë nga Xhevdet Kabashi, ndërsa i kishte kaluar në pronësi Kastriot Kqirës, kurse çmimin e kishin paguar familjarët e të dëmtuarit Pal Gruda.

Po ashtu Palit tha se i kishte shitur edhe një veturë “Audi” në vlerë prej 24 mijë euro dhe një “Polo” në vlerë prej 10 mijë euro.

Të gjitha këto makina tha se Pali i kishte marrë borxh me arsyetimin se e dinte edhe prindi i tij Zefi, mirëpo që më vonë të hollat i kishte paguar vëllai i Palit.

Në fund të seancës, avokati i Tunë Kqirës, Azem Vllasi, kërkoi përjashtimin e prokurores speciale, Merita Binaj-Rugova, nga kjo lëndë.

Kjo ndodhi pasi prokurorja kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit për të akuzuarit.

Prokurorja tha se kjo masë duhet të qëndrojë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Prandaj, avokati Vllasi kërkoi që Merita Binaj-Rugova të përjashtohet nga kjo lëndë. Sipas tij, prokurorja po e keqpërdorë edhe pozitën e saj zyrtare.

“Kjo e shkakton një dyshim shumë të bazuar së paku te unë, se kjo paska do motive tjera për neve tash të panjohura për këmbëngulje te masa e paraburgimit, këtu e kam fjalën, cilat janë ato na nuk dojna me spekulu, por kjo në këtë mënyrë e ka humbë kredibilitetin se mund ta përfaqëson një aktakuzë të tillë në mënyrë profesionale dhe të paanshme”, tha avokati Azem Vllasi.

Seanca e radhës do të vazhdojë me 24 shkurt, kur planifikohet të dëgjohen edhe shtatë dëshmitarë të tjerë.

http://kallxo.com/gruda-fajdexhinjte-kercenuan-se-te-ma-shfarosnin-familjen/

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e kaluara të këtij procesi.