Gjykata në Ferizaj

Dëshmitarët Flasin për Përleshjen në Gjykimin e Granit Paçarizit

Pesë dëshmitarë treguan version e tyre për përleshjen në pastiçerinë “Jupa” në vitin 2013 në të cilën u përfshinë disa persona, ndërsa pati edhe të plagosur.

Dardan Çollaku njëri nga dëshmitarët tha se e kishte parë nga makina përleshjen mes dy grupeve në pastiçerinë “Jupa”, pasi tregoi se kishte dalë për t’u shëtitur bashkë me Hajredin Gushin.

Çollaku tha se kishte parë Granit Paçarizin të qëllonte me revole drejt Egzon Krasniqit, të cilin bëri të ditur se me makinën me të cilin ai e Gushi kishin dalë në shëtitje e kishin dërguar në spital.

Pastaj për përleshjen në pastiçerinë “Jupa” dëshmoi ish-punëtori i saj Ramadan Tredhaku.

Tredhaku tha se Granit Paçarizi ishte klient i rregullt i pastiçerisë, ndërsa sipas tij ditën kritike tash i akuzuari Paçarizi po qëndronte i ulur në tavolinat jashtë lokalit, deri në momentin kur një makinë e zezë kishte ndaluar dhe prej saj kishin dalë katër persona.

Tredhaku bëri me dije se këta persona sapo kishin dalë nga makina kishin filuar sulmin ndaj Paçarizit.

“ Përleshja ka filluar jashtë ku ka qenë i ulur Graniti , pastaj është zhvendosur brenda lokalit ku një person me bisht të sëpatës në dorë i është vërsulur  për ta sulmuar  Granitin i cili më pas kishte shkuar tek shanku “, tregoi dëshmitari.

Tredhaku më tutje deklaroi se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur brenda lokalit, pasi kishte ikur nga frika se mos po i ndodh diçka.

“Unë jam larguar pasi jam frikësuar që po më ndodhë diçka , kam dalë nga hyrja tjetër dhe kam lajmëruar policinë , çfarë ka ndodhur brenda nuk di , di vetëm se pas ngjarjes kur kam hyrë në lokal kam pa tollovi, xhama të thyer, pika të gjakut dhe një bisht sëpate në tavolinë “, tha Tredhaku.

Dëshmitari tjetër Ardian Shala tha se nuk kishte marrë pjesë në përleshjen te pastiçeria “Jupa”, por këtë deklarim e kundërshtoi i akuzuari Paçarizi.

Paçarizi kërkoi që Shalës t’i bëhet ekzaminim trupor, pasi pretendoi se ai është plagosur në këmbë gjatë përleshjes te Lokali “Jupa”, por trupi gjykues e refuzoi propozimin e Paçarizit.

Dëshmitari Shala tregoi se te vendi i përleshjes kishte shkuar më vonë.

“Unë pasi ndëgjova që kishte ndodhur diçka në pastiqerinë ‘Jupa’ shkova me një taksi deri aty , e atje pashë policë dhe persona të tjerë të interesuar.  Më pas po me taksi u nisa për në spital pasi që ndëgjova  se Egzoni dhe Hamiti janë vra “, tha dëshmitari Shala.

Dëshminë e tij e dha edhe pronari i lokalit “Jupa” Amir Kryeziu që tregoi se nga makina zbritën katër persona, ndërsa sulmin ndaj paçarizit sipas tij e nisi Egzon Krasniqi.

“Egzoni nga makina del me një bisht sëpate dhe aty nuk ka pasur kurrfarëë diskutimi por direkt ka filluar të sulmojnë , përpos Egzonit të tjerët nuk e di nëse kanë pasur ndonjë gjë në dorë“, tha Kryeziu.

Më pas dëshmoi Xhevat Mulaku që ishte i akuzuar për vrasje në tentativë nga prokuroria, por më pas ajo kishte hequr dorë nga ndjekja penale e tij.

Mulaku e pranoi se kishte shtënë me revole për të parandaluar sulmin ndaj Granit Paçarizit.

“Kanë ardhur Hamit Alemdar , Egzon Krasniqi , Ardian Shala dhe Aret Bytyqi dhe posa kanë zbritur nga vetura kanë fillu të sulmojnë Granitin dhe gjatë kohës kur kemi tentu të hyjmë  brenda në lokal para se ta godiste Egzon Krasniqi me bisht të sëpatës Granitin, kam nxjerrë revolen duke gjuajtur 2 herë në tokë në pragun e derës “, tha Mulaku.

Mulaku tregoi se gjatë përleshjes ishte goditur në shpatullën e majtë me bisht të sëpatës nga Aret Bytyqi dhe në pjesën e kokës me kondak të revoles nga Hamit Alemdar.

Trupi gjykues me kryetar Agim Maliqin refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës Pjetër Përgjoka  për të bërë 3 lloje të ekzaminimeve- atë balistik , rishikimin në vendin e ngjarjes dhe një ekspertizë neuropsikiatrike për të konstatuar gjendjen në të cilën ka qenë i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale.

Po ashtu në këtë shqyrtim përsëri është ndërruar prokurori. Tani prokuror është Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, e jo Afrim Shefkiu nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që ishte në seancën e kaluar.

Pasi që në këtë shqyrtim gjyqësor nuk është paraqitur dëshmitari Aret Bytyqi, gjykata lëshoi urdhëresë për sjelljen e tij me forcë për shqyrtimin e ardhshëm që do të mbahet në datat 05 dhe 06 korrik 2017 .

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.