Dëshmitare në Gjykimin për Tentim-Vrasjen e Saj

Për porositje të vrasjes së Kusari-Lilës dhe një personi të quajtur Prenk Radi, nga Prokuroria Speciale akuzohet Mikel Qupi.

Pas seancës ku dëshmoi, kryetarja e Gjakovës tregoi për KALLXO.com ecurinë e saj.

“Sot kam qenë edhe në cilësinë e të dëmtuarës, edhe në cilësinë e dëshmitares në rastin e tentim-vrasjes që është prezantu nga Prokuroria Speciale. I jam përgjigjur pyetjeve të prokurorit special dhe të avokatit mbrojtës të palës i cili është arrestuar si i akuzuar për tentim-vrasje,” tha Mimoza Kusari-Lila.

Ajo tha se është e interesuar të mësojë motivin e vrasjes në tentativë ndaj saj.

“Ajo çfarë pres është që të zbardhet drejtësia, të dihen ose të zbardhet motivi se ka motiv në këtë rast. Nuk ka qenë një periudhë e lehtë me të cilën jam ballafaquar vitin e kaluar në fund të verës. Besoj që është momenti i fundit të dihen të gjitha rrethanat e ndodhjes, e motivit, e palëve të treta. Ashtu është përceptu kur është prezantu që Mikel Qupi ka qenë lidhja me vrasësit me pagesë,” tha Kusari-Lila.

Në seancën e sotme përveç Kusari-Lilës dëshmoi edhe Prenk Radi, personi tjetër vrasja e të cilit gjithashtu ishte porositur, por kishte mbetur në tentativë.

Besnik Berisha, avokati i të akuzuarit Mikel Qupi falënderoi dëshmitarët e sotëm që tha se dhanë një pasqyrë tjetër nga ajo që e kishte deklaruar Gramoz Nukshiqi një shtetas i Shqipërisë që kishte thënë se i ishin ofruar para për varsjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit.

“Dua ta falënderoj zonjën Mimoza Kusari-Lila për korrektësinë dhe objektivitetin gjatë dëshmisë së saj, e cila kam përshtypjen që dha një pamje krejtësisht tjetër nga ajo që pretendohet nga mercenari i vetëdeklaruar Gramoz Nukshiqi. Po ashtu dua ta falënderoj familjen e të dëmtuarit Prenk Radi, i cili po ashtu dha një pasqyrë tjetër nga ajo që ishte pretenduar,” tha avokati Berisha.

Ai shfajësoi të mbrojturin e tij.

“U konstatua se Mikel Qupi nuk kishte motivv as kundër kryetares së Gjakovës për të ndërmarrë ndonjë të keqe ndaj saj, aq më pak ndaj bashkëfshatarit të tij dhe kam përshtypjen që gjykata do të ketë material të mjaftueshëm për ta liruar nga akuza,” tha avokati Berisha.

Mikel Qupi nga Prokuroria Speciale akuzohet për vrasje të rëndë të lidhur me veprën bashkim kriminal të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, ai u mor u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit gjatë muajit korrik të 2015-ës.

Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë.

Në aktakuzën që e ka siguruar KALLXO.com bëhet e ditur se përveç premtimit material, Qupi ua siguroi edhe armët atyre që pritej ta vrisnin kryetaren e Gjakovës-një snajper me dy palë dylbi, njëra palë për përdorim gjatë ditës e tjetra gjatë natës, një pistoletë të tipit “Zastava” dhe një sasi prej 400 gramësh të eksplozivit C4.

Aktakuza sqaron se dy vrasjet e porositura të Qupit kishin mbetur të pakryera, pasi njëri nga të porositurit për kryerjen e këtyre krimeve ishte penduar, duke njoftuar për planet e Qupit Policinë e Shqipërisë, ndërsa më pas kjo polici kishte njoftuar Policinë e Kosovës.

[interaction id=”56f5a3b2fda229c634ea832b”]