Prokuroria boshnjake dhe ndërtesa e gjykatës. Foto: BIRN.

Dëshmitarë Boshnjakë Kërcënohen t’i Ndryshojnë Dëshmitë

Shoqatat e viktimave nga të tre grupet më të mëdha etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë thanë për BIRN se anëtarët e tyre kanë marrë kërcënime dhe oferta për ryshfete në përpjekje për t’i bindur ata të dëshmojnë dëshmitë e tyre.

Saja Coriç, ish-presidente e Shoqatës së Kampit të të Burgosurve në Vojno pranë Mostarit tha se ajo ishte kërcënuar personalisht, kishte marrë letra kërcënuese, makinës së saj i ishte vënë zjarri dhe se i ishin ofruar para që të ndryshonte dëshminë e saj në gjyqin për krimet e kryera në një kamp burgimi në Vojno.

“Megjithatë, e vërteta është më e rëndësishme,” tha ajo.

Coriç tha gjithashtu se kishte pasur pesë sulme ndaj shoqatës së saj, por edhe pse shkatërrimi i pronës ishte vërejtur nga policia, nuk ishte bërë asnjë arrestim.

Kryetari i Shoqatës së Kampit të Burgosurve nga Posavina, Vlado Dragojloviç, tha për BIRN se anëtarët e tij nuk kishin marrë kërcënime, por se u ishin ofruar para në këmbim të ndryshimit të historive të tyre.

“Di dy raste në të cilat dëshmitarë të prokurorisë janë ndikuar. I tregova prokurorit dhe i raportuam të gjitha këto, por nuk e di se çfarë ndodhi më vonë,” tha Dragojloviç.

Shoqata e të Burgosurve Boshnjak të Kampit tha për BIRN se ajo gjithashtu dinte raste njerëzish që kishin refuzuar të dëshmonin sepse kishin marrë kërcënime.

“Kemi pasur raste në të cilat njerëzit kanë marrë kërcënime para se të dilnin në gjykatë. Një nga anëtarët tanë së fundmi mori një mesazh ku e kërcënonin për familjen e tij dhe kështu ai refuzoi të dilte në gjyq,” tha presidenti i shoqatës, Jasmin Meskoviç.

Andjelko Kvesiç nga Shoqata e të Burgosurve Kroatë të Bosnjës të Kampit tha megjithatë se kërcënimet ndaj anëtarëve të tij nuk janë shumë të zakonshme.

“Ne kryesisht marrim kërcënime më pak të rënda, njerëz që i thonë dikujt të bëjë kujdes se çfarë do të thotë,” tha Kseviç.

Ai tha se pjesa më e madhe e kërcënimeve bëhen nëpërmjet Facebook-ut ose telefonit.

Prokuroria boshnjake tha për BIRN se nuk mund të tregonte se sa hetime po zhvillohen përsa i takon kërcënimeve që u janë bërë dëshmitarëve.