Dëshmi nga Suedia në Gjykimin e Oliver Ivanoviqit

Në gjykimin kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë të akuzuar për krime lufte në vitin 1999 dhe vrasje në vitin 2000, dëshmoi Shemsedin Ajeti.

Shemsedin Ajeti, të cilit gjatë natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicën Veriore iu vra djali i vëllait dhe iu plagos vëllai, dëshmoi me anë të video-lidhjes nga Suedia.

Ai u pyet nga prokurori Cezary Michalczuk se çfarë ka parë natën e 3 shkurtit.

“Kam jetu 50-60 metra larg nga banesa e vëllait dhe se jashtë banesës së tij kam parë një grup prej 100 serbësh të cilët kanë qenë të gjithë të armatosur dhe me radio-lidhje”, tha Shemsedin Ajeti.

Ai më pas u pyet nga prokurori se a i ka parë më 3 shkurt, natën kur ndodhi vrasja e dhjetë shqiptarëve dhe plagosja e shumë të tjerëve, ndonjërin nga të akuzuarit.

“I kam parë Oliver Ivanoviqin dhe Dragolub Delibashiqin. 100 për qind është e sigurt që e kam parë poshtë [jashtë banesës] Oliver Ivanoviqin, pasi e njoh si vëllanë tim. Ai ka qenë shefi i tyre,” tha Shemsedin Ajeti.

Dragolub Delibashiq ishte ish-pjesëtar i policisë serbe, ndërsa në këtë proces akuzohet për vrasje në natën mes 3 e 4 shkurtit 2000.

Ajeti tregoi në gjykatore se dy ditë pa ndodhur vrasjet e 3 shkurtit është takuar me Ivanoviqin.

Unë dy ditë para datës së 3 shkurtit e kam taku dhe kam folë me të. I kam thënë ‘Oliver çka je tu ba kështu’. Më ka thënë nuk po kam çka bëj, pasi që po vijnë prej tjera anëve[Serbisë],” tha dëshmitari.

Burhan Maxhuni përfaqësues i palës së dëmtuar nga Prokuroria e Shtetit kur foli për KALLXO.com tha se është i kënaqur me dëshminë e sotme.

“Procesi kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve për çdo seancë po merr kahjen dhe rrjedhën më të mirë, pasi që sot dëshmitari Shemsedin Ajeti ka dëshmuar se në natën mes 3 dhe 4 gushtit e ka parë Oliver Ivanoviqin dhe Dragolub Delibashiqin,” tha Maxhuni.

Bashkë me Oliver Ivanoviqin e Dragolub Delibashiqin po gjykohen edhe Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq.

Oliver Ivanoviqi akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim-vrasje në shkurt të vitit 2000.

Seanca e radhës kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve zhvillohet nesër,ndërsa  dëshmitarin Shemsedin Ajeti pritet ta marrë në pyetje pala mbrojtëse.