Gjykimi i mjekëve në Rastin "Medicus" | Foto: KALLXO.com

Dervishi: Klinika ‘Medicus’ ka pasur leje për transplantim të veshkave

Lutfi Dervishi, mjeku i akuzuar në Rastin “Medicus”, tha se kjo klinikë kishte leje për transplantim veshkash.

“Nëse kemi pasur leje për kardiokirurgji atëherë mund t’i zhvillojmë aty të gjitha operacionet e lamive kirurgjike. Ne kemi pasur edhe konfirmimin e licencës dhe lejen për transplantim shtesë. Ne kemi pasur çdo leje të mundshme për spitalet private”, tha Dervishi.

Për dr. Yusuf Sonmezin tha se ai e kishte kontaktuar përmes email-it dhe i ka thënë se dëshiron që të punojë në klinikën “Medicus” si kirurg.

Dervishi tha se dr.Sonemzit i kishte treguar se duhej që të aplikonte në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë licencën.

“A e ka marrë licencën nga Ministria e Shëndetësisë, a ka qenë i autorizuar për transplantim?”, e pyeti prokurorja Valeria Bolici Dervishin.

“Po, Por kurrkund në botë nuk ka një licencë për vetëm një procedurë si p.sh për transplantim”, u përgjigj Dervishi.

“Pra apo thoni se ai ka qenë i autorizuar të kryejë operacione të transplantimit të veshkave, sepse vetë klinika ka qenë e autorizuar?”, e pyeti përsëri prokurorja Dervishin.

Për çka mjeku i akuzuar u përgjigj se klinika ka pasur licencë.

“Unë ju thashë se klinika ka qenë e autorizuar, por asnjë klinikë nuk i jep një autorizim të veçantë një personi të caktuar që të kryejë ndonjë procedurë të caktuar, ai duhet t’i kryejë të gjitha procedurat konform licencës, çka do që ka nevojë pacienti”, u përgjigj ai.

Më pas prokurorja e ballafaqoi Dervishin me një deklaratë të tij të dhënë në vitin 2008, kur ai ishte pyetur se nëse klinika kishte pasur licencë për të kryer dializë, në lidhje me çka dr.Dervishi kishte thënë se klinika nuk kishte pasur leje pasi që as nuk kishte aplikuar.

Për këtë Dervishi tha se nuk kanë aplikuar pasi që nuk kanë pasur ndonjë rast që u është dashur të ndërhynin.

“Pra nuk ka nevojë për një leje të posaçme sa i përket transplantimit të veshkave, por ka nevojë për leje të veçantë për dializë?”, e pyeti prokurorja Dervishin.

Ai u përgjigj se për transplantim të veshkave klinika ka pasur leje, ndërsa për dializë nuk është dashur një leje e veçantë.

“Nuk thashë kështu, thamë se për leje për transplantim të veshkave ne e kemi marrë lejen, për dializa nuk ka nevojë për leje speciale, por duhet ta kemi stafin dhe makinat dhe mund të fillojë puna”, tha Dervishi.

Seanca gjyqësore do të vazhdojë gjatë gjithë ditës, ku pritet që Lutfi Dervishi në vazhdimësi të përgjigjet në pyetjet e prokurores, mbrojtësit të tij si dhe të Sokol Hajdinit e pastaj edhe trupit gjykues.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi rastin “Medicus”.