Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

Deri më 2050, Kosova ta Ndërpresë Prodhimin e Rrymës nga Qymyri

Sot në Bruksel pritet të publikohet një raport që parasheh të ardhmen e sektorit të energjisë elektrike deri në vitin 2050.

Ky raport ka fokus shtetet e Ballkanit si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Serbia, Maqedonia, Kosova, Mal i Zi dhe Rumania.

Instituti për Politika Zhvillimore ka publikuar disa nga objektivat e raportit nga Projekti i Udhërrëfyesit të Energjisë Elektrike për Evropën Juglindore (SEERMAP).

Në raport sugjerohet se vendet e SEERMAP, përfshirë Kosovën duhet të përdorin burime të ripëtritshme për furnizim me energji elektrike.

“Rajoni i SEERMAP do të duhet të zëvendësojë më shumë se 30% të kapacitetit aktual të prodhimit të bazuar në karburante fosile deri në fund të vitit 2030 dhe më shumë se 95% deri në vitin 2050. Kjo, në njërën anë paraqet sfidë për të përgatitur një kornizë politikash që do të nxisë investime të reja, dhe në anën tjetër, është një mundësi për ta formësuar sektorin e energjisë elektrike për një periudhë afatgjatë në linjë me një strategji më të gjerë të tranzicionit energjetik të pakufizuar nga portofoli aktual i gjenerimit”, thuhet në raport.

Sipas raportit, konsiderohet se shtetet e lartëcekura kanë resurse të mjaftueshme për të prodhuar energji me burime të ripërtritshme.

“Vendet e Evropës Juglindore kanë sfida të përbashkëta në sektorin e energjisë elektrike: një flotë e vjetër e prodhimit të energjisë elektrike e bazuar kryesisht në linjit dhe që ka nevojë për investime të reja, ndjeshmërinë e konsumatorëve ndaj çmimeve të larta për konsumatorin fundorë dhe performancën jo të mirë fiskale të kompanive shtetërore. Por, ekzistojnë edhe mundësi të përbashkëta. Rajoni ka një potencial të madh për gjenerimin e energjisë diellore, të erës dhe të biomasës, potencial të madh hidro për balancimin e sistemit dhe në përgjithësi është i ndërlidhur mirë”, thuhet tutje në raport.

Projekti u implementua nga konsorciumi ndërkombëtar i udhëhequr nga Qendra Rajonale për Hulumtime të Politikave të Energjisë (REKK). Financimi për projektin u sigurua nga Ministria Federale Austriake e Bujqësisë, Pylltarisë, Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave dhe Fondacioni Evropian i Klimës.