Derdhja e Ujërave të Zeza në Livadhe Rrezikon Bagëtinë

Përveç kundërmimit të erërave të këqija dhe ndotjes së ambientit, bagëtitë e fshatarëve janë ato që po pësojnë me së shumti.

Banori i fshatit Drenoc, Hysen Mazrekaj, tha për KALLXO.com se fshatarët po përballen me këtë problem qe disa vite, qëkur kur rrjeti i kanalizimit në fshat nuk është projektuar si duhet.

“Kur mbushet bazeni s’ka ka me shku veç me dal në sipërfaqe. Edhe ata ujë po na infekton, na kemi gjithë fshati bagëti, ka kafshë shtëpiake, ka lopë. Si t’i lëshojmë lopët, ato lopët qata ujë po shkojnë pe pinë,” tha Hysen Mazrekaj.

E bagëtitë e fshatarëve shpesh kanë pësuar si pasojë e ujërave të kanalizimit që derdhën në livadhet e fshatit Drenoc, thonë banorët.

“Infektohen edhe njerëzit se le kafshët, po edhe njerëzit se atë qumësht duhet me pi,” thotë banori i Drenocit.

Xhevdet Mazrekaj, një banor tjetër i fshatit, tha për KALLXO.com se autoritetet komunale kanë intervenuar disa herë për ta mënjanuar problemin, por sipas tij nuk kanë vepruar si duhet dhe problemi sërish është përsëritur.

Ai thotë se ky problem po ia rrezikon 30 krerë lopë.

“Ankesën e kam bërë por kur shkova në komunë nuk e gjeta hiç. Shkova e mora në shpi kopjen. Tash du me dal në gjyq me ta,” thotë Xhevdet Mazrekaj.

Në anë tjetër, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën  e Deçanit, Izet Zenuni, tha për KALLXO.com se janë në njohuri për problemin e ujërave të zeza në fshatin Drenoc.

Zenuni tha së kanë pranuar disa herë ankesa nga qytetarë dhe për këtë problem kanë intervenuar disa herë.

Por ai fajëson vetë banorët për pakujdesi në hedhjen e gjësendeve të ndryshme në rrjetin e kanalizimit.

“Një pjesë është zhbllokuar e kemi hapur, s’ka probleme të tilla, ndërsa kjo pjesa tjetër dy herë kemi provuar me hapë s’ka bërë. Javën tjetër kompania që merret me pastrimin e ujërave të zeza do të intervenojë edhe njëherë, po prapë se prapë është problem që është duke na përcjellë kohë pas kohe”, tha Zenuni

Ai shtoi së komuna ka një projekt që pritet të realizohet pasi të zotohen paratë dhe me këtë projekt, Zenuni shpresonj që të zgjidhet problemi i ujërave të zeza në të gjitha fshatrat e Deçanit.