Xhevahire Izmaku

Deputetja – Kryeministrit: E Ke Rastin Ta Tregosh Afinitetin Sportiv

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për ndotjen alarmante të ajrit, deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku tha se ende nuk i kuptojnë emergjencat ngase nuk janë mësuar me to, por se duhet t’i marrin shumë seriozisht.

“Mund të na ndodhin edhe raste tjera, larg asaj, me tërmete e gjana të tilla, edhe po shihet që emergjencat ende nuk e kemi komoditetin t’i kuptojmë edhe kemi nevojë me marrë praktika prej vendeve tjera”, tha ajo.

Më pas Izmaku tha se Kryeministri e ka momentin ta tregojë afinitetin e tij sportiv.

“Kryeministri nuk është këtu, por deshta t’i them që është ndoshta rasti që afinitetin sportiv me përdorë këtë herë, me dal bashkë me ministra në terren edhe me pa cep më cep qeveria, me i pa ndotësit, me i pa problemet edhe neve me na orientu nëse ka nevojë me ndërru diçka te rregullativa ligjore”, u shpreh ajo.

Ajo përkrahu propozimet e deputetëve, sidomos të deputetit Lumir Abdixhiku për ndërprerjen e mësimit në këtë kohë.

Në seancën ku u debatua për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm ishin 68 deputetë.

Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.