Deputeti Reagon ndaj Konkursit ‘Diskriminues’ të Policisë

Një deputet i Kuvendit të Kosovës ka reaguar ndaj asaj që ai quan përjashtim të komunitetit egjiptian e ashkali nga konkursi për policë i shpallur nga Policia e Kosovës.

Në një reagim dërguar mediave, deputeti Veton Berisha tha se me dashje apo pa dashje, me qëllim apo pa qëllim, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, e diskriminon dhe përjashton nga konkursi publik i Policisë së Kosovës kandidimin e pjesëtarëve nga komuniteti egjiptian dhe ashkali.

“Sic shihet nga formulari i aplikimit Egjiptianët dhe Ashkalit nuk e kanë mundësin të kandojnë pasi që i është mohuar e drejta e deklarimit të përkatësisë etnike për dallim me komunitetet tjera”, ka shkruar Berisha, i cili thotë se për këtë çështje e ka përkrahjen edhe të deputetit Etem Arifi.

“Ne deklarojmë se kurr nuk do e lejojmë këtë praktikë diskriminuese nga e kaluara “, shton Veton Berisha.

http://kallxo.com/policia-hap-konkurs-per-pjestare-te-rinje/

Berisha thekson se këto komunitete janë kategori kushtetuese ndërsa në konkurs sipas tij përfshihen kategori jokushtetuese – çerkezët dhe kroatët. “Ky gabim është i pafalshëm”, thotë ai.

Deputeti Veton Berisha ka kërcënuar se nëse ky gabim nuk korrigjohet brenda 24 orëve, atëherë do të largohen nga koalicioni qeveritar.