Sasha Milosavleviq, Lista Serbe.

Deputeti i Listës Serbë Flet për Akuzat Ndaj Nenad Rikalos

Deputeti i Listës Serbe, Sasha Milosavleviq, kundërshtoi debatin në interpelancën në Kuvend rreth akuzave ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo për përfshirje në tortura ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1990.

Milosavleviq tha se tema për të cilën është thirrur interpelanca “nuk guxon të bëhet temë e shqyrtimit në Kuvend meqë është temë e pastër politike”.

“Ata që e ngrisin këtë temë nuk e kanë idenë si të zhvillohet Kosova ekonomikisht. Sot këtu paraqes pyetjen secilit prej nesh: a jemi deputetë apo gjykatës, prokurorë e policë? Për çka po flasim sot? Po ngrisim gishtin në dikë vetëm pse është serb. Kjo është temë e patemë”, tha Milosavleviq.

“Jemi një nga grupet më të përgjegjshme në Kuvend. A kemi qenë ndonjëherë kundër asaj që është në favor të të gjithë qytetarëve të Kosovës? Asnjëherë”, tha ai.

Milosavleviq sugjeroi që Kuvendi të mos merret me këto tema.

“të ngritemi përtej interesave politike dhe së bashku ta ndërtojumë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës”, tha Milosavleviq.

Ndaj deklaratave të tij reagoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai tha se LDK e ka bërë një kërkesë të thjeshtë për interpelancë rreth akuzave të ngritura në publik.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë: të sqarohen akuzat publike nga qytetarët e lagjes ‘Dardania’. Nuk është vendi këtu për leksione. Leksionet e tilla për ne janë të papranueshme”, tha Hoti.